January 28, 2022
Portali Shprehja

VOA: Zhvillimet në PD pas protestës, komentojnë studiues dhe politikanë

Në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe ish kryeministri Sali Berisha, shkëmbyen sot akuza për protestën e djeshme. Ata fajësuan njëri tjetrin për pasojat që protesta la pas, për plagosjet e pjesëmarrësve dhe dëmet materiale.

Tact Watches

Për protestën reagoi edhe kryeministri Rama, i cili e përshkroi si një ngjarje të rëndë.

Ndërsa analisti i njohur, Blendi Ceka, thotë për “Zërin e Amerikës” se Partia Demokratike dështoi për të zgjidhur një konflikt të brendshëm përmes mekanizmave politikë.

Një ditë pas protestës së djeshme, politikanët kryesorë të majtë e të djathtë shprehën të njëjtat qëndrime kundër njëri tjetrit si edhe më parë, sa i takon tubimit edhe nevojës për riorganizim të opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ish kryeministri Sali Berisha ushtroi dhunë dje ndaj selisë dhe njerëzve të opozitës, duke provokuar viktimizim të pjesëmarrësve dhe se sot u kthye në vendin e krimit, duke buzëqeshur mbi gërmadhat, që shkaktoi me ndjekësit e tij të gënjyer.

“Askush të mos mendojë se këto ngjarje të dhunshme të orkestruara nga trekëndëshi i Bermudës (Rama – Berisha – Meta) do ta frenojnë Partinë Demokratike në përpjekjet për riorganizim. Përkundrazi. Pikërisht nga këto rrënoja që la pas dhuna e djeshme e organizuar nga zoti Berisha, Partia Demokratike do të ringrihet dhe do të kthejë shumicën në pushtet, ndërsa ata që vodhën dhe deformuan vullnetin e saj politik do të japin llogari për krimet dhe korrupsionin që po kryejnë së bashku me oligarkët shërbëtorë të tyre. Shumica e shqiptarëve duan ndryshim”, – tha zoti Basha.

Organizatori i protestës së djeshme, Sali Berisha, tha para mediave në oborin e selisë qendrore të PD-së se protesta ishte paqësore, dhe se revolucioni paqësor nuk mund të ndalet.

“Erdha këtu që në emër të komisionit të përkohshëm organizativ të shpreh respektin tonë të thellë për heronjtë e 8 janarit, që i provuan kujtdo se askush nuk mund të ndalë përpjekjet për konsolidimin e pluralizmit politik në Shqipëri”, – tha zoti Berisha.

Studiuesi i njohur i zhvillimeve politike të Shqipërisë, dr.Blendi Ceka, thotë se një dështim i jashtëzakonshëm u shënua dje për zotërinjtë Basha e Berisha dhe për të gjithë burokracinë e Partisë Demokratike.

“Tek figurat e PD-së është investuar për 30 vjet nga shoqëria, dhe ata ende nuk kanë një mekanizëm që zgjidh mosmarrëveshjet, por përkundrazi rreshtohen si grupe klientele pa dhënë asnjë alternativë politike, pa i siguruar asnjë imunitet partisë si strukturë me funksionim normal, gjë që vë në pikëpyetje seriozisht ekzistencën e saj, se për çfarë arësye duhet të ekzisotjë nëse nuk gjen mirëkuptim midis pikëpamjeve të ndryshme brenda saj”, thotë zoti Ceka.

Analisti i njohur pjesëtar i departamentit të shkencave politike në Universitetin e Tiranës, thotë se partitë kryesore politike, edhe Partia Socialiste, kanë mbetur prapa shoqërisë, dhe shoqëria i ka tejkaluar ato.

“Partitë janë shndërruar në ndërmarrje klienteliste, që në vetvete nuk ndajnë besime, nuk ndajnë përbashkësime, dhe kanë shumë probleme me përfaqësimin e shoqërisë. Kjo që ndodhi me Partinë Demokratike është rrjedhojë e faktit se është shndërruar në një ndërmarrje klienteliste me aksionerë privatë, të cilët e shohin subjektin politik thjesht si një instrument për të marrë pushtetin dhe për të nxjerrë përfitime. Kjo është një krizë afatgjatë, e cila kulmoi me atë që ndodhi të shtunën. Ky është një degradim i ardhur në kohë edhe në Partinë Demokratike edhe në Partinë Socialiste, e cila mban ekuilibrat thjesht sepse është në pushtet”, – theksoi zoti Ceka.

Për protestën e djeshme nuk munguan as komentet e kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi atë si një ngjarje e rëndë, absurde, ekstreme dhe qesharake njëkohësisht.

“Ndodhia e djeshme ishte një ndodhi shumë e rëndë për demokratët dhe për të gjithë shqiptarët dhe për vetë Shqipërinë. Ishte një lajm absurd, krejt befasues, sa i rëndë aq edhe qesharak, që në një vend demokratik sulmohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj, është diçka e pa ndodhur kurrë në dijeninë time, në historinë e botës demokratike, diçka ekstreme, diçka që shkon përtej çdo logjike”, – tha zoti Rama.

Ndërsa studiuesi Ceka thotë se ndërhyrja e policisë ishte profesionale dhe shmangu fatkeqësi më të mëdha, ndërsa akuzat që secila palë i bën asaj janë përpjekje për ta lidhur rivalin e vet me qeverinë.

Të Ngjajshme

Hoti: Kërkesa për tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë është vërtetë e pakuptimtë

admin

Rama: Jam i vetmi pa titull shkencor kam vetëm Bachelor, shqiptarët të gjithë me Master

admin

Togerja Liridona Baftjari-Jashari shpallet studentja më e mirë ndërkombëtare në Stamboll

admin

Leave a Comment