February 8, 2023
Portali Shprehja

XBB.1.5 – nënvarianti i ri i COVID-it që po përhapet me shpejtësi

Nënvarianti i ri i koronavirusit XBB.1.5 është konstatuar jo vetëm në SHBA, ku përbën rreth 50% të infektimeve aktuale me COVID-19. Infektime me variantin XBB.1.5 raportohen edhe nga Evropa, India dhe Singapori.

“Ka të ngjarë që XBB.1.5 do të bëhet varianti dominues në Evropë, madje ndoshta nga fundi i janarit. Por ne do ta vëmë në kontroll dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha Paul Hunter, epidemiolog në Universitetin e Anglisë Lindore në Britaninë e Madhe.

XBB.1.5 transmetohet më lehtë

XBB.1.5 është një nënvariant i Omikronit, dhe aktualisht është varianti dominues i virusit korona në mbarë botën. XBB.1.5 është një nënvariant “i rikombinuar” i Omikronit, që do të thotë se përmban material gjenetik nga nënvariante të ndryshme të virusit korona.

“Që kur zbuluam disa muaj më parë nënvariantin XBB, ai ka krijuar disa mutacione dhe ka evoluar. Kjo do të thotë se virusi XBB.1.5 ia del më mirë që të shmangë imunitetin e trupit”, tha Hunter.

Sistemi imunitar e njeh nënvariantin XBB.1.5, por reagon më ngadalë. Kjo do të thotë që virusi XBB.1.5 ka më shumë kohë për t’u shumuar, duke rritur shanset për t’u infektuar me COVID-19.

A është XBB.1.5 më i rrezikshëm se variantet e tjera?

Të dhënat e deritanishme nga SHBA sugjerojnë se XBB.1.5 nuk është më vdekjeprurës se nënvariantet e tjera të Omikronit. “Ne e dimë nga burime të besueshme në SHBA se njerëzit e infektuar me variantin XBB.1.5 nuk kanë simptoma të rënda COVID-i”, thotë Hunter.

Megjithatë ekspertët kanë frikë se nëse XBB.1.5 përhapet me shpejtësi, numri i madh i infeksioneve do të rrisë numrin e njerëzve me simptoma të rënda të ngjashme me ato të nënvarianteve të tjera të Omikronit. /DW

Të Ngjajshme

Erdogan takon të mbijetuarit: Do të ndërtojmë shtëpi të reja për të gjithë, askush s’mbetet në rrugë

admin

Kamberi: S’mund të ketë standarde të veçanta vetëm për pakicën ‘hyjnore’ në Kosovë

admin

Hapet konkursi për tre stadiumet në Durrës, Vlorë dhe Korçë, Rama: Do t’i kthejmë në qendra të reja qytetesh

admin

Leave a Comment