August 5, 2021
Portali Shprehja

Zaev dhe Rama kritikojnë funksionimin e BE-së

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Edi Rama kritikuan ashpër mosarritjen e konsensusit mes vendeve anëtare të BE-së pasi nuk u dha datë për fillimin e negociatave. Zaev tha se dështimi vendos në pikëpyetje vlerat evropiane kurse problem është vetë BE-ja.

Sot Evropa ka problem. Ideja e madhe vizionare për Evropë të bashkuar sot ka problem. Kurse problem është vetë Bashkimi Evropian. Brukseli tregoi se BE-ja nuk arriti të gjejë mënyrë ta sigurojë integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor. Ky është problemi. 26 vende anëtare të BE-së nuk arritën të pengojnë bllokimin e një vendi anëtar, është problem i Evropës i krijuar nga vetë Bashkimi Evropian – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev nuk pranon kushtin e Bullgarisë që Marrëveshja e vitit 2017 mes dy vendeve në jetë pjesë e kornizës negociuese të Shkupit me BE-në.

Në negociata ose në kornizë nuk duhet të vendosen çështje bilaterale. Ky është një precedent i rrezikshëm dhe është një qëndrim që e ndajnë të gjithë vendet e tjera të BE-së. Identiteti nacional maqedonas thjeshtë është e pamundur të jetë objekt negociatash – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Nëse BE-ja na dëshiron do të jem i lumtur dhe nëse kjo nuk ndodh, nuk do të më bëjë të palumtur –  tha kryeministri shqiptar Edi Rama.  Ai shtoi se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht zhvillimeve rreth zgjerimit.

Bashkimi Evropian ka dështuar përsëri të mbajë premtimin, t’i rrijë angazhimit dhe të jetë në qëndrimin e duhur. Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat dhe me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë të gatshme të shtynë përpara pa rezerva sepse ky rajon është i rrethuar nga kufijtë e Bashkimit Evropian dhe nëse ne nuk e ndryshojmë dot mënyrën e funksionimit të BE-së në raport me ne, ne mundemi, duhet dhe do të ndryshojmë vijimisht mënyrën e funksionimit tonë në raport me tjetrin – deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Dy kryeministrat u takuan në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik. Ndërkohë, në takimin e Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së nuk u arrit konsensus për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Bullgaria nuk hoqi veton për Shkupin duke kërkuar garanci për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017 mes Shkupit dhe Sofjes.

Fatlume Dervishi

.

Të Ngjajshme

Sopot, zjarri shkrumbon katin e sipërm të një shtëpie

admin

Për një dekadë nuk është blerë asnjë zjarrfikëse e re

admin

Vatra zjarresh edhe në Makedonski Brod dhe Bogovinë

admin

Leave a Comment