November 23, 2020
Portali Shprehja

Zambrotta: CR7 dhe Leo janë dy jashtëtokësorë, por unë zgjedh Messin

Shtatë sezone te Juventusi dhe dy te Barcelona; kush më mirë se kampioni i botës, Gianluca Zambrotta, mund ta bëjë prognozën e ndeshjes së sotme të Ligës së Kampionëve në Torino. Duke folur për “SPORT”, ai kujtoi kohën në Barcelonë, ish-shokët e skuadrës Messi dhe Xavi etj.

Nëse flasim për spektaklin e futbollit, Juventus-FC Barcelona është padyshim një nga përgjigjet më të mira…
Juventus-Barcelona është gjithmonë një ndeshje e shkëlqyer, midis dy ekipeve që shkruajnë historinë e vendeve të tyre; gjithashtu të futbollit ndërkombëtar. Mbaj mend dy Juve-Barça, në veçanti: çerekfinalet e Ligës së Kampionëve më 2002-2003 dhe finalen e Berlinit më 2015. Në ndeshjen e parë, që luajta për Juven, arritëm të fitonim 2-1 në “Camp Nou” në kohën shtesë, pas barazimit të Torinos 1-1. Ishte një rezultat i shkëlqyeshëm për ne, sepse atëherë rrëzuam Real Madridin në gjysmëfinale dhe arritëm në finalen e “Old Trafford” kundër Milanit. Në rastin e dytë, më kujtohet mirë spektakli 3-1 më 2015, çka i lejoi Barçës sëë Luis Enrique të fitonte Champions-in e fundit dhe tripletën e dytë në histori.

Historia përsëritet dhe sot, të paktën në fazën e grupeve, Juve dhe Barça janë favoritë e qartë…
Po, në Grupin G, favoritët me siguri janë Juve dhe Barça. Të dyja i fituan ndeshjet e tyre të fundit europiane, duke e bërë të qartë rolin e protagonistit. Vendi i parë do të luhet deri në fund; përballjet e Torinos dhe Barcelonës do të jenë vendimtare.

A është shumë e vështirë për Juventusin të luajë pa Cristiano Ronaldon?
Na vjen keq, sepse Cristiano-Messi ishin gjithmonë sfida emocionuese. Shpresa ime ishte që CR7 të dilte negativ në minutën e fundit dhe të shërohej, sepse po flasim për dy jashtëtokësorë, që kanë dominuar futbollin botëror prej dhjetë vitesh tani. Padyshim, unë shkoj me Messin, sepse ishte partneri im në Barcelonë, e njoh mirë dhe di gjithçka që mund të bëjë si futbollist. Ai është një talent i madh, një gjeni futbolli, që gjithmonë e krahasoj me Maradonën. Leo dhe Diego luajtën në dy kohë të ndryshme, është e vërtetë, por unë i shoh ata shumë të ngjashëm me karakteristikat në fushë.

Ju keni luajtur për Barçën më 2006-2008, kur Leo ishte vetëm 19-20 vjeç. Çfarë kujtimi keni për të?
Ai ishte një djalë i mirë, shumë i përulur dhe tashmë plot talent. Kur isha atje, Messi ishte shumë i ri, por kishte qenë me ekipin e parë për një kohë të gjatë, duke iu treguar të gjithëve potencialin e jashtëzakonshëm. Të gjitha janë kujtime shumë të bukura për mua. Sot jam me fat t’i them djalit tim që kam luajtur me Lionel Messin, të kem foto me të, si dhe bluzën e këpucët e tij.

Midis Juve, Barça, Milan dhe kombëtares italiane, ju luajtët me kampionë të mëdhenj: A ishte Lionel Messi më i miri?
Padyshim. Kam luajtur me shumë kampionë në Itali dhe te Barcelona, por Messi është Messi.

Xavi ishte gjithashtu midis shokëve tuaj te Barcelona. Si do ta shihnit atë në stolin e Barçës një ditë?
Shumë, shumë i mirë. Xavi ishte një nga mesfushorët më të mirë ndonjëherë, së bashku me Andrés Iniesta. Natyrisht, do të bënte shumë mirë duke stërvitur ekipin e jetës së tij.

A keni ndonjë anekdotë për të treguar mbi kohën tuaj në Katalonjë?
Është një gjë shumë qesharake… Po ktheheshim nga turneu ynë në SHBA, mbërrita në aeroportin e Barcelonës dhe duhej të merrja një taksi për t’u kthyer në hotelin tim. Hyra në taksi me kostumin e Barçës, por shoferi i taksisë nuk po më fliste fare, sepse ishte tifoz i thekur i Espanyol. Lajmi doli në shtyp dhe, disa javë më vonë, kur shkuam për të luajtur finalen e Superkupës Spanjolle në “Corneprat”, më surprizuan me një banderole, ku shkruhej: Zambrotta, merr autobusin!

Çfarë mendoni për Barçën e Ronald Koeman?
Nuk e shoh në një situatë të lehtë, ka shtatë pikë në La Liga, edhe pse luajti dy ndeshje më pak. Ne do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë me presidentin e ri. Në këto javë ka pasurt konfuzion brenda klubit dhe kjo sigurisht nuk ndihmon dhomën e zhveshjes.

Dhe çfarë lidhjeje ke me Juven e mikut tuaj, Andrea Pirlo?
Së pari dua t’ju them se duke parë Andrean në stolin bardhezi, mbushem me gëzim dhe krenari. Përveç se është një shok i shkëlqyeshëm, ai është një mik i madh. Jam shumë i lumtur për aventurën e tij të re. Shpresoj që si trajner të mund të fitojë gjithçka, që e ka fituar tashmë si futbollist. Juve e tij, ashtu si dhe Barça, sapo kanë filluar një cikël të ri. Iu duhet kohë.

Pyetja e fundit, e pashmangshme, për të ardhmen e Lionel Messit. A mund ta imagjinoni atë me një fanellë tjetër nga e Barcelonës?
Jo, është e pamundur për mua ta shoh Leon me një fanellë tjetër. Messi është një simbol i Barçës, u rrit dhe triumfoi atje. Unë e shoh duke luajtur vetëm për Barcelonën, ​​gjithmonë.

 

.

Të Ngjajshme

E FUNDIT: Eriksen larg Italisë, përfundon te gjigantët e Gjermanisë?

admin

Edhe Serie A përulet përpara Ibrahimovic! Tërbohen Ronaldo e Lukaku, por edhe tifozët e Juves dhe Interit

admin

Fitorja e parë si trajner në karrierë, Bonera zbulon “objektivin e vërtetë” të Milanit!

admin

Leave a Comment