Gazetar: Shkelzen Aqifi
53 bashki në Shqipëri do të drejtohen nga Partia Socialiste, shtatë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” i drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Bashkia e Finiqit në jug do të drejtohet nga partia minoritare greke, MEGA. Në reagimin e parë pas zgjedhjeve, kreu i PS-së Edi Rama tha se fitorja ishte e thellë ndërsa fitoren më të rëndësishme e cilësoi atë në Shkodër. Rama me kritika për KQZ-në.
“Zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt përveç dështimit spekatakolar të KQZ-së…Është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Kjo është një fitore shumë e madhe për tu festuar dhe vet ndjehem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Jam shumë i vendosur që të bëjmë një histori të re dhe jam i bindur që ne mund të bëjmë një histori të re në Shkodër. Shkodra është kryefjala e mandatit që sapo do të nis pas disa muajsh. Pa diskutim kjo nuk i heq asgjë angazhimit tim për Durrësin. Durrësi është një potencial strategjik i jashtëzakonshëm për Shqipërinë e 2030-tës”, deklaroi Edi Rama, Kryetar i PS-së.
Rama iu përgjigj deklaratave të Athinës zyrtare për arrestimin e Alfred Belerit, i cili fitoi drejtimin e bashkisë së Himarës, ndërsa është në paraburgim i akuzuar për blerje votash.
“Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi dhe të mirëkuptoj inflamimin e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje nga ana ime dhe nga ana jonë. Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë dhe një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë me kombësi greke. Minoriteti grek nuk është mish për topat elektoralë të askujt, as në Shqipëri, as në Greqi”, tha Edi Rama, Kryetar i PS-së.
Një ditë më parë, kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis kërkoi që çështja Beleri të zgjidhet sa më shpejt. Misioni i OSBE/ODIHR-it deklaroi se fushata u dominua nga liderët politikë dhe se interesi i zgjedhësve u mor pak në konsideratë. Ndërkohë, u shpreh shqetësim për dyshimet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore. /Alsat.mk
.