11.6 tonë speca kthehen nga Bullgaria, pritet vendimi nëse sasia do të asgjësohet në vendin importues
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është njoftuar se Bullgaria ka kthyer 11.6 tonë speca nga Maqedonia e Veriut, për shkak të nivelit të rritur të pesticideve. Drejtori Agjencisë, Oliver Millanov, theksoi se ende pritet vendimi nëse sasia do të asgjësohet në vendin importues, në Bullgari, apo do të kthehet në Maqedoninë e Veriut dhe të asgjësohet në deponinë “Drislla”.
OLIVER MILLANOV, DRETORI AGJENCISË SË USHQIMIT DHE VETERINARISË
“Operatori ka të drejtë që specat të asgjësohen ose të kthehen. Ne, së bashku me Inspektoratin e Bujqësisë, do t’i asgjësojmë me kërkesë të operatorit ose të vendit importues. Jemi njoftuar për rastin konkret dhe presim të shohim nëse do të asgjësohen në Bullgari apo do të kthehen këtu, ku operatori do t’i asgjësojë në ‘Drislla’”.
Kujtojmë se ditë më pare autoritetet bullgare kanë kthyer në Maqedoninë e Veriut një ngarkesë prej 11.6 tonësh speca të freskët, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e pesticidit formetanat mbi nivelin e lejuar. Ngarkesa kishte hyrë në Bullgari përmes pikës kufitare të Zlatarevos dhe ishte destinuar për një operator tregtar në Petriç. Specat u ndaluan dhe u mbajtën në një depo frigoriferike deri në përfundimin e analizave.
Pas rezultateve të analizave, Agjencia Bullgare e Sigurisë Ushqimore urdhëroi kthimin e të gjithë sasisë te furnizuesi. Autoritetet sqaruan se specat nuk arritën në dyqane apo tregje në Bullgari. Deri tani nuk është bërë e ditur se nga cila pjesë e Maqedonisë së Veriut kanë ardhur specat dhe as emri i prodhuesit apo eksportuesit. Kontrolli është pjesë e mbikëqyrjes së shtuar bullgare ndaj frutave dhe perimeve të importuara nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Samir Mustafa /SHENJA/
