20 vite burg për “Pablo Eskobarin” shqiptar në SHBA
Është dënuar me 20 vite burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Agim Çerma nga Elbasani, i cilësuar edhe si “Pablo Eskobari shqiptar”.
Çerma u arrestua më 18 korrik të vitit 2021, teksa akuzohet për trafik lëndësh narkotike nga Kolumbia, drejt SHBA-ve dhe Evropës. Sipas mediave vendase, shqiptari kishte mundur të shkonte deri në Kolumbi dhe të merrte frenat e trafikut të drogës, teksa ai kryente transport edhe me avionë për në Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm.
Çerma në vendin tonë akuzohej për vrasje, por ishte liruar në vitin 2012 dhe më pas ishte larguar nga Shqipëria.
“Trafikimi ndërkombëtar i drogave të paligjshme përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe ky hetim dhe ndjekje penale çmontojnë një operacion që planifikoi të trafikonte qindra kilogramë kokainë jashtë Kolumbisë”, tha prokurori amerikan Steinberg në gjykatë.
Siç përshkruhet në dokumentet dhe dëshmitë e gjykatës, në vitin 2020 Administrata e Zbatimit të Drogës, duke punuar me agjencitë e zbatimit të ligjit në Kolumbi, identifikoi individë të përfshirë në shpërndarjen e drogës në shkallë të gjerë. Hetimi përcaktoi se Cerma dhe të tjerët po planifikonin dhe bashkërendonin prodhimin dhe transportin e qindra kilogramëve kokainë nga Cali, Kolumbi, në Evropë nëpërmjet një avioni të regjistruar në SHBA, duke shpresuar se do të shmangte kontrollin shtesë nga autrotietet në SHBA, për shkak të lejëkalimit të dhënë ndaj avionëve me flamur kolumbian.
Skema përfshinte pagesën e punonjësve të korruptuar të aeroportit, prodhimin e më shumë se 300 kilogramë kokainë nga një laborator në Kolumbi dhe pagesat për organizimin dhe ekzekutimin e skemës në rreth 300,000 dollarë në monedhën amerikane. Hetimi zbuloi se Cerma ishte drejtuesi i organizatës së trafikut të drogës dhe komplotet me të bashkëpandehurit për të eksportuar kokainën duke përdorur një avion të regjistruar në SHBA.