21 milionë lekë për konviktin “fantazmë” në Tamarë, reagon Policia e Shkodrës
Emisioni “Stop” mbrëmjen e kësaj të mërkure denoncoi rastin se në konviktin në Tamarë punonjësit marrin rrogën për një godinë bosh, pasi aty nuk fle asnjë nxënës. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Policia e Shkodrës të cilët përmes një njoftimi zyrtar bëjnë me dije se kanë nisur hetimet dhe Prokuroria ka regjistruar procedim penal për akuzën “shpërdorim detyre” për shtetasen me ininciale L.T 50 vjeç.
Kjo shtetase duke qënë përgjegjëse e konviktit të shkollës së mesme të bashkuar, në Tamarë, dyshohet se ka regjistruar fiktivisht 28 nxënës gjatë vitit shkollor 2023 – 2024, me qëllim përfitimin e shumave ditore dhe tenderave të paguara nga Bashkia Malësi e Madhe.
“Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ju bëjmë me dije se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, që më datën 18.03.2024, kanë referuar materialet në Prokurori e cila ka rregjistruar procedimin penal për veprën penale “Shpërdorim detyre” për shtetasen L. T., 50 vjeçe, banuese në fshatin Tamarë, Malësi e Madhe.
Kjo shtetase duke qënë përgjegjëse e konviktit të shkollës së mesme të bashkuar, në Tamarë, dyshohet se ka regjistruar fiktivisht 28 nxënës gjatë vitit shkollor 2023 – 2024, me qëllim përfitimin e shumave ditore dhe tenderave të paguara nga Bashkia Malësi e Madhe”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në fshatin Tamarë ndodhet një konvikt për të gjithë nxënësit e fshatrave përreth, të cilët duan të shkollohen në shkollën e Tamarës.
Por kujt i shërben ky konvikt? Në redaksinë e emisionit “Stop” mbërriti një informacion, se në këtë konvikt janë të punësuar plot 8 punonjës: një kujdestare, një magaziniere, një sanitare, një punonjëse mirëmbajtjeje dhe 3 roje. Këta punonjës marrin rrogën për një godinë boshe pasi sipas informacioneve në këtë konvikt nuk fle asnjë nxënës.
Drejtoresha e shkollës Tamarë thotë se shërbimi i konviktit funksionon dhe është në dispozicion. Sipas saj në konvikt flenë 16-17 nxënës.
Drejtoresha e shkollës Tamarë: Shërbimi i konviktit funksionon dhe është në dispozicion. Janë të regjistruar. Marrin edhe vaktet, ushqehen. Një pjesë e tyre flenë, por një pjesë preferojnë, që të kthehen. 16-17 nxënës flenë këtu.
Në një dokument të afishuar tregohen oraret e veprimtarive të ndryshme të nxënësve dhe në orën 14:00 është dreka. Në orën 14:00 nuk kishte asnjë nxënës. Pasi mbaruan mësimin, vetëm 4 nxënës u ngjitën në konvikt dhe pas 10 minutash dolën sërish dhe morën transportin për në shtëpinë e tyre.
Kujdestarja e konviktit: Unë po bëj aty 12 vite. Me thënë të drejtën, aty është një konvikt i vogël dhe nuk është se kemi një numër të madh nxënësish. Afërsisht ka variuar 15-20.
Gazetarja: Aktualisht sa nxënës flenë në këtë konvikt?
Kujdestarja e konviktit: Flenë shumë pak, më thënë të drejtën e sidomos, kur është koha e keqe dhe është shi, nuk i lënë prindërit, i marrin. Ja, sot më thanë i morën, se ishte shumë shi.
Gazetarja: Tani gjatë dimrit që ka qenë koha me shi apo e keqe, nxënësit nuk kanë qëndruar fare?
Kujdestarja e konviktit: Jo se s’kanë qëndruar fare, por kanë qëndruar shumë pak, kurse drekën e hanë. Çdo ditë kemi nxënës në konvikt. Për t’u ushqyer, ushqehen çdo ditë.
Në tabelën e brendshme për personelin shkruhen oraret e punës. Në të shkruhet se konvikti ka 3 roje.
Kujdestarja e konviktit: Për Zotin, të them të drejtën, për atë pjesë të më pyesësh mua, nuk mund të them se çfarë ruajnë. Thjesht i kanë caktuar që të punojnë nga 8 orë me turne.
Gazetarja: Ju jeni kush?
Roja: Roja!
Gazetarja: Edhe ju jeni punonjëse këtu në konvikt?
Punonjësja: Po!
Gazetarja: Ju ishit kuzhiniere dhe…?
Punonjësja: Magaziniere!
Gazetarja: Po ju çfarë magazinoni?
Magazinierja: Hyrjet dhe daljet (e nxënësve).
Gazetarja: Sa punonjës jeni në total?
Punonjësja: Kaq jemi këtu për momentin.
Gazetarja: Pra, një, dy, tre, katër punonjës jeni për momentin?
Punonjësja: Po! Në total janë edhe të tjerë.
Gazetarja: Sa nxënës flenë këtu në konvikt?
Punonjësja: Tek 14-15, që flenë zakonisht.
Edhe pse nuk ka nxënës konviktorë, sërish bashkia e Malësisë së Madhe ka investuar në këtë konvikt plot 21 milionë lekë të vjetra, por kushtet aty janë skandaloze.
Gazetarja: Nxënësit flenë direkt në dyshek?
Punonjësja: Jo, po ngaqë ishte e hënë sot dhe i hoqëm carcafët që të laheshin dhe nuk kishte drita dhe ngelën ashtu.
Gazetarja: A është rikonstruktuar kohët e fundit konvikti?
Kujdestarja: Kohët e fundit, po! Kanë pasë bërë këto, pjesën elektrike, mbase ato llampat e ato gjërat. Unë nuk e di, të jap informacion të saktë, se sa ka qenë a si, por e kanë bërë një lloj rikonstruktimi.
Gazetarja: A keni ju fond që të furnizoheni me ushqime?
Kujdestarja: Ata kanë një normë ditore, nxënësit dhe e kanë fiks. E vogël është, por e kanë një 2 mijë lekësh në ditë