34-vjeçari gjendet pa shenja jete në një lum në Han të Elezit
Një 34-vjeçar është gjetur pa shenja jete në një lum në vendin e quajtur “Skollovc”, në fshatin Dërmjak të Hanit të Elezit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas tij, njësitë e Hetimeve Rajonale dhe Forenzikës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipet emergjente kanë nxjerrë trupin nga uji. Mjeku kujdestar i QKMF-së në Han të Elezit ka konstatuar vdekjen.
Nga ekzaminimet fillestare, sipas Policisë, nuk janë vërejtur shenja të dukshme të lëndimeve.
Me urdhër të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për autopsi dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.Rasti është iniciuar si hetim dhe po vazhdon të trajtohet nga njësitet kompetente policore. /Urgjent.com/