
70% e kumanovarëve pi ujë nga gypat e azbestit
AA
Përgatiti: Anila Pajaziti
Banorët e qytetit më të madh shqiptar në Maqedoninë e Veriut çdo ditë furnizohen me ujë që kalon përmes tubacioneve të azbest-çimentos, një material i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, i cili është i ndaluar në Bashkimin Evropian nga viti 2005.
Rreziku i padukshëm në gotën e ujit
Sipas të dhënave të publikuara nga Ndërmarrja Publike “Vodovod”, rreth 70% e rrjetit të ujësjellësit të Kumanovës është i ndërtuar me gypa të azbestit, të vendosur në vitet ’50–’70 të shekullit të kaluar.
Azbesti është i njohur ndërkombëtarisht si kancerogjen. Fibërat e tij, të cilat mund të çlirohen për shkak të vjetërsisë dhe dëmtimeve të tubacioneve, përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik. Sipas ekspertëve mjekësorë, ekspozimi i gjatë ndaj azbestit lidhet drejtpërdrejt me kancerin e mushkërive, mezoteliomën dhe sëmundje kronike të sistemit respirator.
Kosto marramendëse, por shëndeti nuk pret
Drejtori i “Vodovod”-it, Oliver Stojmanovski, kohëve të fundit përmes një prononcimi Ka theksuar se problemi është i madh, por sipas tij, pa mbështetje nga pushteti qendror ose donatorët ndërkombëtarë, zëvendësimi i gypave është i pamundur.
“Vetëm tre kilometra tubacione të zëvendësuara në vitin 2002 kushtuan mbi 4 milionë euro. Për të ndërruar të gjithë rrjetin, nevojiten tri deri në katër buxhete komunale. Kjo është e pa-realizueshme vetëm me fonde lokale”, ka theksuar Stojmenovski kohë më parë për MIA.
Banorët të shqetësuar: Po pijmë helm në heshtje
Në terren, qytetarët shprehin shqetësimin e tyre.
“Të mendosh që uji që pimë kalon nëpër gypa të azbestit është alarm për çdo familje. Fëmijët tanë e pinë këtë ujë çdo ditë. Shteti duhet të reagojë dhe të bëj ndërrimin e tërësishëm se ky është helm i heshtur”, thotë një banor i lagjes pranë tregut të qytetit.
Një problem kombëtar, jo vetëm lokal
Kumanova nuk është e vetme. Sipas të dhënave të Shoqatës së Ndërmarrjeve Komunale, shumë qytete të tjera në Maqedoni përballen me të njëjtin problem, madje disa edhe në gjendje më të rëndë se Kumanova. Në disa prej tyre, rrjetet janë ende 100% të ndërtuara me azbest.
Ekspertët: Zgjidhja nuk mund të shtyhet pafund
Infektologët dhe inxhinierët e ujësjellësve paralajmërojnë se çdo vonesë rrit rrezikun për brezat e ardhshëm.
“Ky nuk është thjesht problem teknik. Është çështje shëndeti publik, e cila duhet të trajtohet si prioritet kombëtar. Çdo ditë që kalon, rreziku rritet”, thekson një ekspert i shëndetit mjedisor.(INA)