Gati ndryshimi te Barcelona, Laporta takohet me pasuesin e Çavit
Skuadra e Barcelonës do të ndryshojë trajner në fund të sezonit. Ditët e fundit, në fakt, mësohet se ka pasur një takim mes numrit një të klubit blaugrana, Zhoan Laporta, dhe Hansi Flik, nën shoqërinë e agjentit të tij, ku u diskutua mundësia e marrjes së trashëgimisë së Çavit në Katalonjë.
Drejtori sportiv i Barçës, Anderson Luis de Souza ‘Deko’ së fundi konfirmoi se opsionet për stolin e klubit, sezonin e ardhshëm, janë ende të hapura, por kufizimet jan të njohura.
“Nuk ka shumë trajnerë të nivelit të lartë të lirë, shumica janë nën kontratë. Barcelona ka një stil loje që të gjithë e njohin. Nuk ka asnjë portret të trajnerit ideal për Barcelonën. Kombësia nuk ka rëndësi, ajo që ka rëndësi është cilësia, ambicia”.
Pavarësisht se ku dhe kur, është e vërtetë që Flik plotëson shumë nga kërkesat e përshkruara nga Deco, drejtori sportiv i Barçës: disponueshmëria, pasi është pa kontratë, dhe i nivelit të lartë, sepse tashmë ka fituar 6 trofe me Bajernin.
Siç raportoi “Mundo Deportivo”, e ashtuquajtura “rruga gjermane” ka qenë gjithmonë një nga mundësitë e konsideruara nga klubi blaugrana për stolin e ekipit të parë, sezonin e ardhshëm, që kur Çavi Hernández njoftoi vendimin e tij për t’u larguar nga roli duke filluar nga qershori.