“Në QSUT s’ka detyrime financiare”, Edvin Prifti nxjerr sërish tabulatet e SPAK
Mjeku Edvin Prifti ka nxjerrë sërish një pjesë të akteve që posedon Prokuroria e Posaçme, ku ai është nën hetim nga organi më i lartë i akuzës në vend. Kardiokirurgu i njohur tregon se si është përpjekur të ndihmojë pacientë të ndryshëm, duke u thënë se nuk kanë detyrime financiare.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Prifti shkruan se po i bën publike këto akte në vazhdën e autohetimeve që po i bën vetes, në lidhje me përgjimet e SPAK.
“Përgjim zyrtar SPAK 2021, Nr.2 Ne vazhdën e autohetimit qe po i bej vetvetes dhe përgjimeve te furnizuara nga Spak qe mu mbajten sekret hetimor per tre vjet po ju paraqes nje rast te dyte se si ju jam pergjigjur njerezve te ndryshem ne nevoje. Mesa duket nuk e kam thene mjaftueshem qe ne Qsut ska asnje detyrim financiar?!
Gjithshka do jua evidentoj ne menyren me transparente te mundshme. Kam hequr numrin e telefonit te bashkebiseduesit si dhe emrin per etike! Te tjera pergjime se si tentohej te infiltrohen kriminele per te inskenuar dhenie parash(gje qe smunden pasi ne komunikime zyrtare Spak konfirmon qe eshte e pamundur te kryhet pasi Edvin Prifti nuk pranon njeri) apo plane per ekzekutimin tim fizik dhe te femijeve te mi te mitur do ju jepen ne vazhdimesi. Sigurisht vrasja apo tentativa per vrasje nuk eshte kompetence e Spak, prandaj qe nuk eshte hetuar mesa duke”, shkruan Prifti.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar, se i pandehuri Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës, dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në CASH, për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme, shuma të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, dhe më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë.
Në vijim të një hetimi të gjithanshëm dhe objektiv të këtij procedimi, është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar, dhe në përfundim janë sekuestruar në gjashtë llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë.
Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434.319 (katërqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e nëntëmbëdhjetë) Euro, 67.914.368 (gjashtëdhjetë e shtatë milion e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) Lekë, si dhe 7.600 USD.
Edvin Prifti, me detyrë mjek kardio-kirurg, pranë Shërbimit të Kardiokirurgjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, akuzohet për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.