
Infantino: Autoritetet përkatëse të kapin autorët e ngjarjes tronditëse në Trabzon
Presidenti i FIFA-s, Xhiani Infantino ka dalë me reagim lidhur me ngjarjet e ndodhura pas ndeshjes së zhvilluar mes Trabzonsporit dhe Fenerbahçes, në javën e 30-të të Superligës.
Pas ndeshjes, teksa skuadra verdhe-blu po shfaqte gëzim, tifozë të shumtë të Trabzonsporit hynë në fushë dhe sulmuan lojtarët e ekipit kundërshtar. Pas gjithë këtyre ngjarjeve ka bërë një deklaratë edhe presidenti i FIFA-s, Xhiani Infantino.
“Dhuna që ndodhi pas ndeshjes së Superligës turke të luajtur midis Trabzonspor dhe Fenerbahçe është absolutisht e papranueshme. Këto nuk kanë vend brenda apo jashtë fushës, në sportin tonë apo në shoqërinë tonë. E kam thënë më parë dhe do ta them përsëri, në futboll, pa përjashtim. Të gjithë lojtarët duhet të jenë të sigurt për të luajtur këtë lojë që sjell gëzim për kaq shumë njerëz në mbarë botën. Unë u bëj thirrje autoriteteve përkatëse të kapin autorët e ngjarjes tronditëse që ndodhën në Trabzon”, tha mes tjerash Infantino.