Spasovski: Ne premtojmë se do të sigurojmë pagë mesatare prej 1100 euro
Bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore të Koalicionit për Ardhmërinë Evropiane, Oliver Spasovski sot në një konferencë për media të mbajtur në Shkup premtoi se me LSDM-në pushtet do të ketë pagë mesatare prej 1.100 euro.
“E ardhmja evropiane do të thotë standard evropian i jetesës për të gjithë qytetarët, paga dhe pensione europiane, akses në tregun europian dhe zhvillim i kompanive mikro, të vogla, të mesme dhe të mëdha, një shans për të tejkaluar rekordin që kemi arritur në investimet e huaja. Kjo nënkupton cilësi evropiane të shërbimeve dhe reformim të detyrueshëm të sistemit gjyqësor sipas praktikave evropiane”, tha Spasovski, duke shtuar se kjo praktikisht nënkupton zbatimin e standardeve evropiane në të gjitha segmentet e jetës.
“Ne premtojmë se do të sigurojmë pagë mesatare prej 1100 euro, pagë minimale 600 euro, pension mesatar 30.000 denarë, pension minimal 20.000 denarë, 180 milionë euro të reja ndihmë shtetërore për kompanitë vendore, investime të reja të huaja dhe. ne ju tregojmë se si. Menjëherë pas formimit të Qeverisë së re do t’i vazhdojmë negociatat me Bashkimin Evropian, do t’i përfundojmë në mandatin e ardhshëm dhe deri në vitin 2030 do të hyjmë në BE”, tha Spasovski duke përmendur përfitimet e anëtarësimit në NATO.
“Ne pamë se çfarë solli anëtarësimi në NATO. Ai solli nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte prej 754 milionë eurosh, në vitin më krize 2022 për të gjithë botën. Investimet e huaja direkte janë pothuajse dy herë më shumë se në vitin 2016, kur ishin 338 milionë euro. Ajo solli më shumë para në buxhetin e shtetit. Prej tyre kemi mbështetur më shumë se 919 kompani me mbi 100 milionë euro, që nënkuptonte një nxitje prej 500 milionë eurosh investime të reja në ekonominë vendase. Investitorët duan një mjedis investimi të qëndrueshëm dhe të sigurt. Bashkimi Evropian tani ka një peshë prej rreth 65% të numrit të përgjithshëm të investimeve të huaja direkte. Dhe kjo përqindje pritet të rritet me anëtarësimin e plotë”, tha Spasovski, duke shtuar se anëtarësimi në BE sjell investime të reja.
“Si anëtare e Unionit, në mesin e shteteve evropiane do ta forcojmë edhe më shumë stabilitetin në Maqedoni. Në këtë mënyrë do të tërheqim investime të reja të huaja. Do të mundësojmë daljen e kompanive vendase në tregun europian prej 500 milionë banorësh dhe zhvillimin e tyre të besueshëm. Kështu do të arrijmë të ardhurat evropiane dhe standardin evropian të jetesës në vendin tonë. Dhe atë brenda një periudhe të parashikueshme, në 4 vitet e ardhshme”, tha Spasovski.
Spasovski iu referua mungesës së qëndrimit në radhët e opozitës për çështjen e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.