![Interi kërkon sulmuesin brazilian te Barcelona](https://shprehja.com/wp-content/uploads/2024/05/Vitor-Roque-center-controls-the-ball-during-a-Spanish-La-Liga-soccer-match-between-Barcelona-and-Osasuna-scaled-850x560.jpg)
Interi kërkon sulmuesin brazilian te Barcelona
Historia e Vitor Roke-s në Barcelonë nuk po shkon sipas pritshmërive të brazilianit. Trajneri Çavi Hernandez pavarësisht se drejtuesit e klubit shpenzuan plot 60 milionë euro për ta transferuar nga Atletik Paranaense, nuk i ka dhënë hapësira në fushë.
Pak ditë më parë, agjenti i lojtarit, Andre Kjuri shpërtheu në akuza ndaj teknikut spanjoll duke kërcënuar klubin se 19-vjeçari do të largohet në merkaton e verës. Dhe, së fundmi emri i tij ka përfunduar në listën e drejtuesve të Interit.
Zikaltërit po e studiojnë pistën që të dërgon te Vitor Roke, edhe pse nuk janë të gatshëm të bëjnë çmendurira. Te Interi janë të hapur vetëm nëse e transferojnë Vitor Roque nëpërmjet formulës së huazimit.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që braziliani përfundon në axhendën e Inter, pasi edhe më herët kur aktivizohej në Brazil, zikaltërit e kanë pasur në fokus sulmuesin, por pasi Barça u fut në garë, italianët u tërhoqën.