
Romelu Lukaku, mes Seria A dhe ofertës së majme nga Arabia Saudite
Gjatë qëndrimit një vjeçar te Roma, Lukaku ka bërë shumë mirë duke realizuar 21 gola dhe duke asistuar në katër të tjerë në 47 ndeshje zyrtare. Roma duket se nuk do ta blejë kartonin e belgut, megjithatë e ardhmja e Lukakut mbetet sërish në elitën e futbollit italian Serie A.
Siç raporton “Calciomercato”, Napoli është kthyer në një destinacion tërheqës për Lukakun. Ardhja e mundshme e Antonio Kontes në skuadrën e kaltër, me të cilin Lukaku luajti te Interi, hap një skenar të ri për reprezentuesin belg, i cili nuk do të kthehet më te Çellsi.
Më tej, largimi i mundshëm i Viktor Osimhen, pikërisht me Çellsin të interesuar për nigerianin, do ta detyronte Napolin të kërkonte një alternativë për sulmin, ku Lukaku ishte një opsion i provuar me performancë të menjëhershme.
Gjithsesi në rast se Lukaku nuk do t’i bashkohet Napolit, ai mund të përfundojë në Arabinë Saudite ku disa klube kanë shprehur interesim për të. Vet futbollisti muaj më parë kur luajti një ndeshje miqësore në Arabi tha publikisht se një ditë do të jetë pjesë e Superligës arabe.