Gjilan: Nga pakujdesia goditi veturën e Policisë, lëndohen dy policë dhe shoferi i dyshuar
Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident trafiku ka ndodhur edhe sot në orët e para të mëngjesit, në rrugën ‘Avdullah Tahiri’ në Gjilan, ku një veturë e ka goditur automjetin zyrtar të Policisë.
Shoferi i veturës dyshohet se nga pakujdesia shkaktoi aksidentin dhe për pasojë lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy policë që ishin në veturë, por edhe i dyshuari.
Të njëjtit kanë marrë trajtim mjekësor në spital dhe më pas janë liruar.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar sot se gjatë 24 orëve të kaluara ka realizuar rreth 550 kontrolle të automjeteve, derisa 76 shoferëve iu janë konfiskuar patentë shoferët për shkelje të ndryshme të rregullave në trafik.