
Shqipëria, me një fitore mund të arrijë në raundin e dytë?
Kombëtarja e Shqipërisë do ta shijojë eksperiencën e dytë në histori të saj në një Kampionat Evropian, pas asaj të vitit 2016. “Kuqezinjtë” kanë përfunduar në Grupin B së bashku me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Sidoqoftë, ekziston një pikë shprese për ekipin e Sylvinjos që të shkojë tutje, të paktën përmes pozitës së tretë.
“Euro 2024” do ta ketë formatin e njëjtë me atë të katër vjetëve më pare dhe 24 ekipe janë ndarë në gjashtë grupe dhe dy të parat do të ecin tutje nga faza e grupeve. Më saktësisht, 12 ekipe do të dalin nga dy vendet e para, ndërsa katër të tjera do të sigurohen nga katër vendet e treta më të mira nga gjashtë grupe.
Me këtë rast do të kompletohet e teta e finales me 16 ekipe, ndërsa më pas do të vazhdohet me çerekfinalen me 8 ekipe, me gjysmëfinalen me 4 skuadra dhe me finalen me 2, kur edhe do të përcaktohet kampioni evropian.
Shqipëria mund të ecën tutje me një fitore eventuale, pasi tri pikë mund të jenë të mjaftueshme (jo gjithsesi) për ta prerë biletën e së tetës së finales.