Viti i mrekullisë kuqezi – Gola spektakolarë, lojë dëfryese dhe entuziazëm, Shqipëria sërish në Evropian
Viti 2023 mund të konsiderohet pa frikë më i suksesshmi i Kombëtares Kuqezi.
Skuadra më e dashur e të gjithë shqiptarëve dhuroi emocione të jashtëzakonshme, me paraqitje të mëdha, duke siguruar kualifikimin historik në fazën finale të Evropianit Gjermani 2024.
Shqipëria dominoi kundërshtarë të fortë, grumbulloi rreth saj entuziazmin e një kombi, zbuloi “yje” të rinj, në një projekt që niste në fillimin e këtij viti me një emër të ri: Sylvinho.
Federata Shqiptare e Futbollit bënte një sforco të rëndësishme ekonomike, duke marrë në drejtimin e Shqipërisë brazilianin me një karrierë të pasur si lojtar në ekipe si Arsenal, Barcelona e Manchester City nën urdhrat e Guardiolës, teksa si trajner kishte punuar te kombëtarja e Brazilit si ndihmës i një ikone si Tite, apo dhe në stolin e Lyonit, me një staf po kaq prestigjioz ndihmësish, me argjentinasin Pablo Zabaleta e Doriva si ndihmës.
Vinte me plot shpresë e ambicie në drejtimin e Shqipërisë.
Sylvinho kishte nisur nga puna me njohjen e lojtarëve dhe studimin e Shqipërisë që me nisjen e tratativave.
Braziliani do ta niste aventurën e tij me Shqipërinë, pa një miqësore, debutim në një sfidë zyrtare në 27 mars, sfidën e parë të Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2024, përballë Polonisë, një prej favoriteve të grupit, në transfertë…
Në Varshavë i dhuronte debutimin absolut një emri të njohur, po ku askush nuk kishte besuar më pas: Jasir Asani.
Ashtu si dhe Anis Mehmetit, teksa rreshtonte skuadrën me një modul të ri, 4-3-3 , duke lënë pas skemën 3-5-2 e shumëdiskutuar të paraardhësit të tij, Edy Reja.
Shqipëria e humbi ndeshjen e parë, 1-0 me një gol të Swiederskit në minutën e 41, dhe me shumë pritje të Szezny-t, por dhuronte shumë shpresë.
Kuqezinjtë krijuan volum, u shfaqën të qartë në ide dhe krijuan disa raste për gol, ishte vetëm fillimi, edhe pse si shpesh ndodh, i vështirë…
Takimet e radhës do të vinin në qershor, një periudhë kur shpesh kombëtarja nuk kishte dhënë maksimumin në vitet e fundit, pas përfundimit të sezonit të klubeve.
Luanim me Moldavinë, në “Air Albania”, dhe 3 ditë më pas ndaj Ishujve Faroe në transfertë.
Ndaj Moldavisë ishte një provë e madhe, Shqipëria nuk i lejoi pothuajse asgjë një kundërshtari që më pas ndaj Polonisë e Çekisë do të konfirmohej si shumë i rrezikshëm.
Ishte shumë pranë golit në pjesën e parë, por gjeti avantazhin në të dytën falë një perle të Jasir Asanit, i aftë të shpikte një gol spektakolar.
Festimi i Asanit me Sylvinhon është ikonik, kishte shpërblyer menjëherë besimin, me një gol që do të votohej si më i bukuri i atij raundi eliminatoresh në faqen e UEFA-s, Shqipëria po zbulonte një yll të ri.
Goli i dytë erdhi nga një tjetër lojtar që me Sylvinhon mori besimin maksimal, nga një pozicion i përafërt, por me një tjetër mënyrë gjuajtje dyfishonte Nedim Bajrami.
2-0, ishte fitorja e parë e Shqipërisë në këtë fushatë eliminatore, e rëndësisë maksimale për t’i dhënë jetë një rruge që sapo kishte nisur.
Tri ditë më pas, luhej në transfertë me Ishujt Faroe, këtu fitorja ishte një detyrim.
Në Torshavin Sylvinho prezantohej me të njëjtin formacion, ndryshimi i vetëm në mesfushë, ku titullar ishte Asllani në vend të Bares.
Ishte një sfidë ndoshta me më pak ekuilibër se ajo ndaj Moldavisë, por me shumë më tepër raste dhe më e çliruar, me një Shqipëri gjithnjë e më të qartë.
Shënonte që në fillim me Cikalleshin, një gol i anuluar për pozicion jashtë loje, teksa e zhbllokonte Nedim Bajrami, më pas një penallti e humbur nga Cikalleshi.
Barazimi i përkohshëm i ishullorëve me një goditje standarde, për të marrë sërish avantazhin me një tjetër perlë, këtë herë nën firmën e Kristjan Asllanit.
Fitorja 3-1 vulosej më pas nga një tjetër “yll” në ngritje, edhe pse duke pranuar me përulësi stolin: Ernest Muci.
Dy suksese brenda tri ditësh me pikë të plota që karikonin optimizëm dhe entuziazëm, shkruan Super Sport.
Pavarësisht zërave skeptikë që shpreheshin se ishte bërë detyra, kjo Shqipëri ishte në një rritje të qartë, tanimë duke hedhur sytë me më shumë besim nga misioni kualifikim.
Shqipëria do të luante përballë favoritëve të grupit, me Çekinë në transfertë dhe me Poloninë në Tiranë. Ky ishte momenti i së vërtetës.
Në Pragë, kuqezinjtë luajtën ndeshjen më të vështirë të kësaj fushate.
Çekët, kryesues të grupit, ishin një skuadër vërtetë e fortë, duke e vënë shpesh në vështirësi Shqipërinë, që ia doli të barazonte 1-1 falë një tjetër supergoli nga Nedim Bajrami.
Ishte barazimi vendimtar i kësaj fushate.
Sylvinho, më pas, do ta konsideronte si momentin më nevralgjik të fushatës, Shqipëria dilte e pamposhtur nga beteja në Pragë, kishte fituar lojën, besimin dhe “yjet” e saj dhe shkonte ashtu siç duhej në takimin e tri ditëve më pas, me Poloninë, në Tiranë.
Ndaj polakëve në 8 ndeshjet e fundit kishim regjistruar po kaq humbje, po kjo ishte një Shqipëri tjetër, po bëhej e madhe me heronjtë e saj.
Goli i Jasir Asanit ishte jonormal, një tjetër supergol, i pabesueshëm! Edhe një kompliment për një femër mund të ishte:
“E bukur, si një gol i Asanit”. Ishte momenti i zhbllokimit, po gjithë Shqipëria po bënte një paraqitje të madhe, teksa gjente golin e dyfishimit me Mirlind Dakun, të kritikuar për një rast të humbur në sfidën me Çekinë, një gol që i jepte krahë një feste të jashtëzakonshme jo vetëm në “Air Albania”, por në Tiranë e gjithë Shqipëria.
Shqipëria ishte kryesuese e grupit, tanimë me këtë fitore të madhe mund të bënte më qartë llogaritë e kualifikimit, kur mbeteshin edhe tri ndeshje, edhe pse Sylvinho dëshironte t’i shtynte për më pas, por dihej që vendimtare do të ishte sfida e tetorit. Në “Air Albania” vinte Çekia.
Na duhej të paktën një barazim, por ajo ishte një ndeshje e vështirë për t’u besuar. Duke nisur nga perla e radhës nga Jasir Asani.
E pamundur që të përsëriste kaq shpesh një mrekulli të tillë, ishte goli që e konfirmonte heroin e këtyre eliminatorëve, ishte goli që i hapte rrugën një prove të jashtëzakonshme të Shqipërisë, që fitonte 3-0, por që mund të kishte qenë edhe më e thellë, me një dominim të jashtëzakonshëm në fushë, aq sa ishte e vështirë t’u besoje syve.
Po shikonin një Shqipëri vërtet të madhe, të aftë, që nëse konsiderojmë edhe golin e Mujës të anuluar për pozicion milimetrik, të shkërmoqte Çekinë, një rival të frikshëm. Ishte fitorja që praktikisht na çonte në Europian.
Në atmosferë festive u luajt dhe miqësorja me Bullgarinë. Sylvinnho u besoi atyre që kishin luajtur më pak, duke marrë sërish konfirmime pozitive dhe nga lojtarët që kishin qëndruar më shumë në stol, pasojë e një strategjie të qartë dhe frytdhënëse të brazilianit, për të krijuar një 11-she titullare solide.
Gola nga Qazim Laci dhe Ernest Muçi, lojtarë të rëndësishëm, që kishin pranuar stolin për të ruajtur frymën pozitive para dy takimeve të fundit të fushatës eliminatore.
Shqipëria shkonte në në dy sfidat e nëntorit me sigurinë matematikore: një një pikë mjaftonte për t’u kualifikuar në fazën finale të Evropianit.
Dukej thuajse e pabesueshme të mjaftonte kaq për të bërë realitet një ëndërr kaq të madhe, luanim me Moldavinë në transfertë dhe me Ishujt Faroe në shtëpi, por askush nuk donte ta linte një mision kaq të madh për në ndeshjen e fundit.
Shqipëria barazoi 1-1 në Kishinjev përballë Moldavisë, që në atë ndeshje luante shanset e fundit për të shpresuar evropianin.
Shënonte ai që kishte sakrifikuar aq shumë gjithë edicionin, por fati e deshi që të shënonte pikërisht golin që vuloste kualifikimin, Sokol Cikalleshi.
Shqipëria ishte zyrtarisht në Evropian. Ishte ndoshta momenti festiv që ndikoi paksa dhe barazimin e fundit: 0-0 me Ishujt Faroe, megjithatë mjaftonte dhe kjo, ishim kryesues të grupit.
Shqipëria kishte mbyllur një vit të jashtëzakonshëm, 9 ndeshje të luajtura, 5 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje, me një bilanc prej 15 golash të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar, konfirmim i një mbrojtjeje të hekurt.
Ishim të pamposhtur në shtëpi me një skuadër plot “yje” e talente.
Jo vetëm Asani, Bajrami, Seferi e Daku, që kishin fituar kuotat në sulm, por një mesfushë plot muskuj e talent me Ramadanin e Asllanin, një mbrojtje fantastike, ku spikaste zbulimi Mario Mitaj, një ndër më të mirët e këtyre eliminatoreve, por mbi të gjitha një grup, një skuadër që kishte realizuar misionin më të madh, atë të përfaqësimit, duke bërë krenar një komb të tërë, që shihte te kjo skuadër Shqipërinë e bashkuar, kontributin e djemve nga të gjitha trojet, të përkthyer në një kualifikim heroik.
Shorti i Evropianit i hedhur në fillim të këtij muaji, nuk ishte i favorshëm. Shqipëria në një grup gjigantësh, me Spanjën, Italinë e Kroacinë, të gjithë kundërshtarë që meritojnë respektin maksimal, por kjo Shqipëri nuk e njeh fjalën frikë, do të shkojë padyshim në Gjermani për të na dhuruar të tjera gëzime të mëdha.
Të urosh që 2024 të jetë edhe më i suksesshëm se ky vit që lëmë pas mund të duket e ekzagjeruar, por kjo skuadër nuk njeh kufij dhe të gjithë ne besojmë te heronjtë e një kombi, për një tjetër mision të madh, atë për të skuqur edhe Gjermaninë.