Silvinjo, provon dy variante në stërvitjen e fundit para takimit me Spanjën
Me seancën e fundit, trajneri Silvinjo ka mbyllur gjithçka sa u takon përgatitjeve për ndeshjen me Spanjën, duke përfshirë edhe formacionin. Por në këtë drejtim braziliani ka krijuar një situatë pak misterioze, duke provuar disa variante dhe në njërin prej tyre titullar ishte edhe Amir Abrashi, i grumbulluar në mënyrë surprizë në Europian.
Është ndeshja e tretë dhe e fundit në grup, që vlen shumë për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë në fazën me eliminim direkt. Në fakt, të shtunën stafi teknik kuqezi provoi një formacion të ngjashëm ose të përafërt me atë të dy ndeshjeve të para në grup.
Të dielën ndërkohë ka pasur të tjera lëvizje, ku vetëm skema nuk ndryshonte, kurse emrat në sulm ishin befasues. Në të dy rastet në formacion është provuar Ismajli dhe jo Ajeti, i cili ka qenë titullar deri tani.
Taktika dhe strategjia që një skuadër ndjek në një ndeshje të caktuar varet direkt nga kundërshtari. Në rastin konkret, përballë Spanjës nuk ka shumë për të thënë, por Shqipërisë i duhen pikë dhe nuk mund të jetë e orientuar vetëm te mbrojtja.