Morata flet për të ardhmen e tij mes Atletiko Madridit dhe Milanit
Pas komplikimeve ekonomike për pistën Zirkzee, Milani tani duket se është i orientuar vetëm drejt sulmuesit të Atlético Madridit, i angazhuar aktualisht në Kampionatin Europian me Spanjën. Ai do të luajë në gjysmëfinale kundër Francës, të martën.
Kontaktet mes përfaqësuesve të lojtarit spanjoll dhe drejtuesve të kuqezinjve, me Zlatan Ibrahimovic që po “tërheq telat”, janë të drejtpërdrejta. “Djalli” dëshiron të paguajë klauzolën e lirimit të Morata (13 milionë euro), për ta marrë atë nga “Kolçoneros”.
Ish-lojtari i Juves nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Itali dhe për të luajtur sërish në Serie A, por për shifrat e pagës ende duhet të bie dakord. Po kështu, spanjolli duhet të qartësojë idetë e tij se a do të qëndrojë tek Atletiko Madridi apo do t’iu bashkohet “kuqezinjve”.
Gjatë një interviste të dhënë për gazetën spanjolle “El Desmarque Cuatro”, i pyetur për të ardhmen e tij personale, Morata tha se “ishte i përqendruar 100% te ndeshja e ardhshme e Europianit”, se donte të ishte “i qetë”, duke kujtuar megjithatë se “asgjë nuk është e sigurt në futboll”.
Pyetja për të ardhmen u “driblua” menjëherë prej tij, por çështja nëse do të vazhdojë apo jo tek Atlétiko Madridi mbetet çështje e hapur këtë verë.