Prishtinë: 30-vjeçarin e bëjnë llom familjarët e dhëndrit pasi motra e tij e denoncoi burrin në Polici
Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur më 31 dhjetor në Barilevë të Prishtinës, ku një grua është kërcënuar nga bashkëshorti i saj dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë. I dyshuari përfundoi në pranga të Policisë, por një familjar i gruas e pësoi keq.
Siç mëson Sinjali, derisa viktima po intervistohej në Polici lidhur me rastin, familjarët e të dyshuarit e kanë sulmuar fizikisht vëllain e saj.
Sipas informacioneve të para, 30-vjeçari është rrahur brutalisht nga tre familjarë të dhëndrit të tij, të cilët i shkaktuan lëndime të rënda trupore, për çka u dërgua në QKUK.
Ndonëse ende nuk dihet motivi i rastit dhe nëse i dyshuari për dhunë në familje kishte porositur sulmin ndaj mikut, rasti dyshohet se lidhet me denoncimin për dhunë në familje.
Posa Policia është vënë në dijeni për atë që ka ndodhur, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur.
Ndaj të dyshuarit kryesor, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.