Euro2024 gati për kapitullin e tij të fundit
Gazetar: Mahir Thaçi
Kampionati Evropian 2024 në Gjermani është gati të shkruajë kapitullin e tij të fundit, me finalen e madhe që do të luhet në Berlin dhe ku përballë do të jenë Spanja dhe Anglia.
Një duel që në nivel shifrash mund të jip përparësi njërës dhe poashtu edhe kombëtares tjetër. Mes të dy finalistëve dhe sipas vlerësimit të përbërjes së tyre nga portali i specializuar “Transfermarkt”, kostoja e stafit të Spanjës dhe Anglisë arrin në 2,4 miliard euro.
Por “Tre luanët” fitojnë këtë duel me Spanjën, me një vlerësim prej 1,5 miliard eurosh, krahasuar me 965 milionë të Spanjës. Spanja shihet si favorit, ndërsa ka fituar një Kupë Bote dhe tri Kampionate Evropiane.
Anglia trofeun e vetëm dhe të fundit e ka fituar në vitin 1966, 58 vite më parë dhe që atëherë futbolli nuk është kthyer në shtëpinë e tij, ndërsa ky vit konsiderohet si i duhuri.
“Prej kohësh Anglia i shikonte finalet nga shtëpia, por ne kemi nisur ta ndryshojmë këtë gjë, po luajmë finalen e dytë radhazi. Kjo tregon se kemi punuar mirë dhe disponojmë lojtarë me shumë potencial dhe kemi ndërtuar gjithashtu themele të sigurta për të ardhmen”, tha Sinkron – Geret Sauthgejt, trajner i Anglisë.
Ndërkohë nëse Spanja do të shpallet kampione, do ta mbyllë turneun me një rekord të paprecedentë në një kampionat europian: shtatë ndeshje, shtatë fitore.
“Është një lojë shumë e fortë. Ne e dimë se Anglia ka potencial fantastik futbolli dhe mund të bëjë një rikthim të madh. A jemi ne favoritë? Ne qëndrojmë të qetë dhe e dimë që nuk ka favorit, se është një ndeshje shumë e barabartë. E dimë që nëse nuk jemi mbi nivelin e ndeshjeve të fundit nuk do të kemi shanse për të fituar. Skuadra dhe unë kemi respekt për rivalin tone”, u shpreh Luis de la Fuente, trajner i Spanjës.
Trajnerët Luis De la Fuente dhe Geret Sauthgejt nuk kanë shumë dilema në lidhje me titullarët e duelit të zjarrtë. Te Spanja rikthehen pas pezullimeve Dani Karvahall dhe La Normand, të cilët do ta nisin nga minuta e parë në krahun e djathtë dhe në qendër të mbrojtës.
Konfirmime tek Anglia, me Sauthgejt që konfirmon titullarët e fitores 2-1 përballë Holandës në gjysmëfinale. Ndarja e drejtësisë për finalen e madhe të Kampionatit Evropian i është besuar gjyqtarit francez, Fransoa Leteksier./ Alsat.mk