VLEN-i, drejt “shkrirjes” në një parti(Video)
Koalicionit VLEN, drejt “shkrirjes” në një parti. Sot, në Tetovë u mblodh Trupi Koordinues Politik i VLEN-it i formuar nga përfaqësues të koalicionit. Ky organ ekzekutiv është rezultat i vullnetit të fortë politik mes liderëve të partive që janë pjesë e koalicionit VLEN për integrim gradual të brendshëm me qëllim rritjen e efikasitetit në realizimin e premtimeve parazgjedhore dhe veprimin e përbashkët politik të sinkronizuar.
“Sot këtu në Tetovë, koalicioni VLEN bën promovimin e një trupi të përbashkët, trup koordinativ, i cili do të merret me promovimin e politikave të koalicionit në periudhën e ardhshme. Kjo tregon edhe një herë për frymën e bashkëpunimit që ekziston në kuadër të koalicionit VLEN, por njëherësh edhe për kërkesën e votuesve të këtij koalicioni që ngadalë të shkojnë në drejtim të homogjenizimit të strukturave apo ngritjes së një strukture të përbashkët, me çka më mirë do të mund t’i përgjigjemi kërkesave të votuesve tanë në drejtim të realizimin e kërkesave dhe programit. Në ditët në vijim do të ketë edhe organe tjera në kuadër të koalicionit që do të promovohet. Sot do të caktojmë edhe një zëdhënës”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.