![Lionel Mesi bëhet lojtari me më shumë trofe në historikun e futbollit](https://shprehja.com/wp-content/uploads/2024/07/Lionel-Messi-celebrates-with-the-trophy-after-his-team-defeated-Colombia-in-the-Copa-America-scaled-850x560.jpg)
Lionel Mesi bëhet lojtari me më shumë trofe në historikun e futbollit
Ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Inter Miamit, Lionel Mesi bëri një tjetër arritje historike pas finales së luajtur në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt, 37 vjeçari u bë lojtari më i trofeshëm në histori të futbollit. Kampioni i botës arriti në kuotën e 45 trofeve me klube dhe me kombëtare duke e kaluar rekordin që e mbante paraprakisht ish-bashkëlojtari i tij tek Barça, Dani Alves.
Argjentina e mposhti Kolumbinë pas vazhdimeve 1:0 dhe kjo ia mundësoi Messit që ta thyejë rekordin e trofeve, ndërsa ai u detyrua ta linte fushën në pjesën e dytë pas një lëndimi që e pësoi, teksa u pa me lot në sy. Sidoqoftë, fundi kishte rëndësi për atë që po konsiderohet si futbollisti më i mirë në histori pasi e fitoi trofeun e Copa Americas dhe kështu e shijoi trofeun e 45-të në karrierë.
Krahas Botërorit, dy Kopa Amerika dhe Finalissima, Messi e kishte fituar katër herë Ligën e Kampioëve dhe 10 herë titullin në La Liga me Barcelonën. Në aspektin individual, ai e ka fituar tetë herë Topin e Artë dhe gjashtë herë Këpucën e Artë.Messi i ka regjistruar 1,068 ndeshje, duke shënuar 838 gola dhe 374 asistime. Prej 45 trofeve të fituar, Messi 39 prej tyre i ka shijuar në nivelin e klubeve.
Që nga mosha 17 vjeçare, kur nisi të fitonte trofe, argjentinasi nuk është ndalur. E ka fituar titullin e kampionit shtetëror 12 herë (10 me Barcelonën e 2 me Paris Saint-Germainin), katër herë Ligën e Kampionëve (me Barcelonën), dhe i ka fituar 17 trofe vendorë (15 me Barcelonën dhe nga një me PSG-në e me Inter Miamin). Gjithashtu, e ka fituar tri herë Superkupën e Evropës dhe tri herë Botërorin e Klubeve.
Me Argjentinën, fitoret e Mesit i përfshijnë Botërorin U-17 në vitin 2005, Lojërat Olimpike 2008, Kopa Amerika 2021, Finalissima 2022 dhe më e madhja dhe më e paharrueshmja, Kupa e Botës 2022.