Berishës i ndalohet komunikimi nga banesa/ Kërkesa e SPAK: Vetëm me personat që jetojnë në të njëjtën shtëpi
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar që ish kryeministrit Sali Berisha t’i ndalohet edhe komunikimi nga banesa e tij. Sipas kërkesës së SPAK, Berisha do të ketë komunikim vetëm me familjarët e tij, të cilët jetojnë në të njëjtën banesë me të.
Ai nuk do të mundet të ketë komunikim në Facebook, apo platformat e tjera sociale.
Këtë të martë, u shty seanca gjyqësore në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha. Shkak është bërë kërkesa e avokatëve mbrojtës, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë, që të njihet me aktet dhe provat e paraqitura nga Prokuroria.
Ata po ashtu kërkuan përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka me pretendimin se ka konflikt interesi me ish-kryeministrin, i cili sipas tyre e ka shkarkuar nga detyra.
Të mërkurën, në orën 11:00, do të mbahet seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha për miratimin e kërkesës së Prokurorisë për “arrest shtëpie” për dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”./abcnews.al