Raportohet se personi që vrau policin serb është i arratisuri Faton Hajrizi
Një polic serb është vrarë dhe një tjetër është plagosur mbrëmë në Serbi.
Mediat serbe kanë raportuar se në vendngjarje është gjetur një pasaportë në emër të Artan Hajrizit, vëllai i Faton Hajrizit.
Gazeta Insajderi merr vesh ekskluzivisht që dyshohet se personi që ka gjuajtur në drejtim të policëve serb është vet Faton Hajrizi.
Kjo për shkak se pas arratisjes ai i ka përdorur dokumentet e vëllait të tij për t’u arratisur nga Kosova.
E gjithë ngjarja dyshohet se nisi pasi që Faton Hajrizi refuzoi që të identifikohet para policëve serbë.
Kjo ka shkaktuar edhe konfrontim fillimisht verbal e pastaj fizik mes tyre.
Pas kësaj kanë filluar të shtënat me armë në mes tyre.
Nga të shtënat një polic serb ka mbetur i vdekur në vend dhe një tjetër është plagosur rëndë.