Shiu ndihmoi në shuarjen e zjarrit në malin Serta, ende është aktiv zjarri në Ograzhden
Shiu që ra dje ndihmoi në shuarjen e zjarrit në malin Serta, i cili ishte aktiv në ditët e kaluara dhe në shuarjen e të cilit morën pjesë helikopterë të MPB-së, ARM-së, helikopterë nga Sllovenia, Turqia, Serbia dhe Mali i Zi, si dhe Air Tractors.
Sipas informacioneve nga QMK, në pjesën e malit nga ana e Negotinës dhe Probishtipit nuk është vërejtur zjarr, përveç pjesës së malit nga ana e Shtipit, ku janë vërejtur dy deri në tre vatra zjarri, ku është reaguar nga ajri. Qendra për menaxhim me Krizat bën të ditur se janë 13 zjarre aktive, nga gjithsej 28 zjarre në 24 orët e fundit.
Zjarrin në malin Ograzhden, mbi fshatin Badilen, në territorin e Komunës së Novosellës, i cili ishte aktiv tashmë dhjetë ditë, nuk e kanë shuar as reshjet e shiut që goditët këtë rajon dje pasdite. Sipas informacioneve të Njësisë së zjarrfikësve të Strumicës, në disa vende zjarri ende është aktiv. Përndryshe, sipas informacioneve të QMK-së, është djegur një pyll me lisa dhe pisha në një sipërfaqe prej rreth 700 hektarësh.
Ekipi i zjarrfikësve të Strumicës ka vënë nën kontroll dhe e ka shuar zjarrin mes fshatrave Vodoçë dhe Veljushë të Strumicës, i cili ka shpërthyer dje dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe, duke djegur tre shtëpiza pushimi, ndërsa për shuarjen e tij janë angazhuar të gjitha kapacitetet e zjarrfikësve të Strumicës.