Plas sherri në një familje në Graçanicë, djali i dehur e bën për spital babanë e moshuar
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Shpeshherë shkak i sjelljeve agresive ndaj familjarëve është edhe abuzimi me pije alkoolike e substanca narkotike.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme një person ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi është ankuar se ka pësuar dhunë fizike nga djali i tij.
Bazuar në dëshminë e 70-vjeçarit, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar kështu lëndime trupore. Si pasojë e kësaj, viktima ka marrë edhe tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
43-vjeçari i është nënshtruar edhe testit për alkool, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.