Juventusi bën hapin e fundit për Niko Gonzalesin, 30 mln euro në tavolinë
Juventusi po punon në tri pista të ndryshme nga perspektiva e transferimeve: Kopmeiners, Kalulu dhe Niko Gonzalez. Fakti është se njoftimi zyrtar i kalimit të Albert Gudmundsson te Fiorentina iu hapi rrugën bardhezinjve për të “sulmuar” Niko Gonzalez.
Në fakt, siç theksohet nga edicioni i sotëm i “Gazzetta dello Sport”, për momentin më i afërti nga të tre për t’iu bashkuar skuadrës së Tiago Mota-s është argjentinasi, pikërisht sepse klubi toskan ka zgjedhur islandezin si zëvendësues të tij. Një sinjal që nuk duhet anashkaluar, i mbërritur dje, është përjashtimi i Gonzalez nga debutimi në kampionat kundër Parmës, pas zgjedhjes së trajnerit Rafaele Palladino.
Atalanta është gjithashtu vigjilente për lojtarin e lindur në vitin 1998, e pëlqen profilin e tij, por Juventusi po insiston më shumë te Fiorentina (që mban kartonin) për momentin. Kristiano Xhiuntoli, drejtori sportiv i Juventusit nuk ka arritur ende marrëveshje përfundimtare me klubin vjollcë, por pret ta gjejë deri në fundjavë. Shifra është rreth 30 milionë euro, e vetmja gjë për t’u sqaruar është formula e zgjedhur.
“Zonja e Vjetër” preferon një huazim të rëndë me detyrim blerjeje, vjollcët do të donin vetëm para. Negociatat sigurisht që po vazhdojnë në përpjekje për t’i kënaqur të gjitha palët dhe konkluduar me “tym të bardhë”.