E tallte vajza e tezes në TikTok, si vrau veten nëna e 4 fëmijëve
Bedrie Loka është 41-vjeçarja e cila i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike. Nëna e 4 fëmijëve bullizohej në rrjetin social TikTok në mënyrë të vazhdueshme që prej vitit 2022.
Vajza e tezes së saj dyshohet se ishte ajo e cila i kishte hapur një profil falso në rrjetin social kushërirës me fotot e saj. Ajo i kishte postuar një foto me tekst denigrues që kishte marrë mbi 30.000 shikime në TikTok. E ndjera e kishte denoncuar këtë rast edhe në Policinë e Durrësit.
Më datë 2 Janar 2024, Loka i uroi ditëlindjen vajzës së saj dhe më pas konsumoi fostoksinë.
Viktima i ishte shprehur disa herë djalit të saj se do të kryente vetëvrasje duke thënë “…për nder rroj”.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Policia e Durrësit.
REAGIMI:
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetase që ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë, për shkak të bullizmit, ju sqarojmë se:
Më datë 02.01.2024, në orën 16:30, jemi njoftuar nga shërbimet e spitalit se shtetasja B. L., 41 vjeçe, që dyshohej se kishte konsumuar lëndë helmuese fotoksinë, edhe pse kishte marrë ndihmë mjekësore, nuk kishte mundur të jetonte.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kryer të gjitha veprimet me grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, dhe materialet janë referuar në Prokurori.
Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj.
Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast.
Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetases B. L.