Arsyeja e veçantë, 15-vjeçari detyrohet të mbajë fanellë pa sponsor
FA Kupa e Anglisë zakonisht dhurojnë episode interesante, pasi në lojë janë si skuadrat e mëdha, ashtu edhe ato të futbollit amator dhe shpeshherë, ekipet u bëjnë vend lojtarëve të rinj në radhët e tyre. Kështu ishte edhe me Rori Fineran, i cili ka debutuar në moshën 15-vjeçare me skuadrën e Bllekburn në ndeshjen kundër Kembrixh Junajtid. Ai ishte zëvendësues në fundin e pjesës së dytë të sfidës që skuadra e tij fitoi me shifrat 5-2 duke kaluar në turin tjetër.
Por ajo që u bëri përshtypje të gjithëve ishte se Fineran mbante një fanellë pa sponsor. Shumëkush mendoi se ishte një gabim i magazinierit, që nuk kishte përgatitur një fanellë të duhur për lojtarin e ri debutues. Por më pas u mësua se gjithçka kishte lidhje me emrin e sponsorit.
Bllekburni sponsorizohet nga një kompani cigaresh elektronike, por Fineran është nën moshën e lejuar për të konsumuar duhan e kësisoj, ligji e ndalon që ta reklamojë në veshje në aktivitete publike. Andaj edhe fanella e tij nuk mbante emrin e sponsorit, në një ditë që gjithsesi ai nuk do ta harrojë kurrë.