“Ekstremistët serbë kanë ikur në …”, eksperti zbulon “dhimbjen” e Vuçiqit
Eksperti i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, i ka quajtur “hipokrizi” shtatë kërkesat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për Kosovën.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Ibishi ka deklaruar se Vuçiq dhimbjen e ka te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, në mënyrë që ta mbajë nën tension veriun e Kosovës.
Sipas tij, presidentit serb nuk i ka mbetur asgjë tjetër, pasi ekstremistët serbë kanë ikur nga Kosova në Serbi.
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar veprimet e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, në veri të vendit, duke thënë se asnjë qeveri nuk ka bërë më shumë se kjo e tanishmja për këtë pjesë të Kosovës.
Ai vlerëson se gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është nën kontroll, pavarësisht kërcënimeve nga ekstremistët. Por, ai ka theksuar se Qeveria duhet bërë hapa në integrimin e veriut në disa aspekte tjera.
Ndërsa, sa i përket ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Kosovës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, eksperti vlerëson se e njëjta ishte një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar.
Sipas tij, ky sulm u përshkrua si një përpjekje për të shkëputur një pjesë të Kosovës dhe për ta bashkuar atë me Serbinë, duke përdorur dhunë dhe armatim të rëndë./BOTASOT/