Aktorja që luajti rolin e Rose në “Titanic” më në fund flet për dilemën e famshme të dërrasës: A ishte ajo një derë dhe a kishte vend edhe për Jackun
11 Nëntor, 2024
AA
Aktorja e njohur dhe fituesja e disa çmimeve të aktrimit, Kate Winslet, ka ndezur sërish debatin rreth skenës së “derës” në filmin “Titanic”, duke konfirmuar një detaj të habitshëm për këtë moment të famshëm.
Gjatë një interviste më 21 tetor në emisionin australian “The Project”, Winslet, e cila luajti krah Leonardo DiCaprios në filmin e famshëm të vitit 1997, sqaroi se objekti lundrues që personazhi i saj, Rose, kapet, është shpesh i keqidentifikuar.
“Njerëzit e quajnë derë, por nuk ishte derë”, sqaroi ajo. “Ishte një pjesë e parmakut, si një shkallë apo diçka e ngjashme që ishte shkëputur”, shkruan DailyMail.
Kur iu bë pyetja klasike nëse kishte “vend në derë” për personazhin e Leonardo DiCaprio-s, të quajtur Jack Dawson, Winslet qeshi duke thënë se e kishte pritur këtë pyetje.
“Kush e di nëse (DiCaprio) do të mund të ishte vendosur aty apo jo”, tha ajo. “Sinqerisht, nuk kam ndonjë mendim të ri që të tjerët nuk e kanë shqyrtuar më parë”.
Në një intervistë në podkastin Happy Sad Confused më 2022, Winslet dha një përgjigje më të detajuar për teorinë e saj se a mund të qëndronte Jack aty.
“E dëgjoni këtu për herë të parë, po, ai mund të kishte hipur, mund të ishte vendosur mbi atë ‘derë’, por nuk do të qëndronte mbi ujë. Nuk do të qëndronte”, tha Winslet.
Fundi i filmit “Titanic” ka shkaktuar debate të shumta mes fansave, me shumë prej tyre që përpiqen prej vitesh të vërtetojnë se jo vetëm Rose mund të kishte mbijetuar, duke insistuar se kishte vend të mjaftueshëm në atë objekt për Jack-un.
Disa përdorues në Reddit kanë krahasuar pjesën e mbetur të drurit me imazhet e brendshme të anijes në film, duke sugjeruar gjithashtu se nuk ishte derë.
Regjisori James Cameron i tha gazetës Toronto Sun se njëherë kishte porositur një studim shkencor për të testuar skenarë të ndryshëm mbijetese për Jack dhe Rose, duke përfshirë dublantë dhe rikrijime të ndryshme.
“Morëm dy dublantë me të njëjtën masë trupore si Kate dhe Leo, vendosëm sensorë mbi ta dhe brenda trupit të tyre, i futëm në ujë akull dhe testuam nëse do të mund të mbijetonin nëpërmjet metodave të ndryshme. Përgjigjja ishte se nuk kishte asnjë mënyrë që të dy të mbijetonin. Vetëm njëri mund të mbijetonte”, tha Cameron.
“[Jack] duhej të vdiste. Është si Romeo dhe Zhulieta. Është një film për dashurinë, sakrificën dhe vdekshmërinë. Dashuria matet me sakrificën… Ndoshta pas 25 vitesh, nuk do të duhet të merrem më me këtë temë”.
‘Dera’ e famshme nga “Titanic” u shit për një shumë mbresëlënëse prej 718,750 dollarësh (670,569 euro) në ankand në mars, gjatë ngjarjes ‘Treasures from Planet Hollywood’ të organizuar nga ‘Heritage Auctions’.
Ankandi vuri në dukje se dera “në realitet është pjesë e kornizës së derës menjëherë mbi hyrjen e sallës së klasit të parë të anijes”.
Çmimi i shitjes së saj tejkaloi kamxhikun e Indiana Jones nga filmi “Temple of Doom” (525,000 dollarë/489,000 euro) dhe sëpatën e Jack Nicholson nga “The Shining” (125,000 dollarë/116,620 euro).