COP29 do të rrisë optimizmin brenda komunitetit global
Në Baku të Azerbajxhanit po mbahet Sesioni i 29-të i Konferencës së Palëve, në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, ose ndryshe COP29.
Liu Zhenmin, i dërguari i posaçëm për ndryshimet klimatike,duke nënvizuar rolin dhe angazhimin që ka Kina në këtë proces historik tha se gjithmonë i është dhënë përparësi adresimit të ndryshimeve klimatike dhe e sheh atë si një strategji kombëtare vendimtare. Zhvillimi me karbon të ulët, është një pjesë jetike e ndërtimit të një Kine të bukur, tha ai.
Përkushtimi i Kinës për të promovuar zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët, ka dhënë rezultate pozitive duke fituar njohje të gjerë ndërkombëtare, shtoi ai.
Liu shprehu optimizmin se COP29 do të rrisë besimin brenda komunitetit global, duke theksuar rëndësinë e parimit të përgjegjësive të përbashkëta por të diferencuara si edhe zbatimin me zell të marrëveshjeve ligjore.
Ai u kërkoi vendeve të zhvilluara të përmbushin angazhimet e tyre, duke ofruar mbështetje financiare për të ndihmuar vendet në zhvillim që të rrisin kapacitetet në përgjigje të sfidave klimatike.
Kina është e gatshme të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të mbështetur multilateralizmin, për të siguruar drejtësi në qeverisjen e klimës, për të respektuar rregullat e tregut dhe lirinë e tregtisë dhe për të kontribuuar në suksesin e COP29, që të ofrojë stabilitet dhe siguri më të madhe në qeverisjen globale të klimës, vuri në dukje Liu.