Celibashi: 9.4 mld lekë për zgjedhjet! Kreu i KQZ kërkon më shumë fonde sesa ato të parashikuara në buxhet
Pavarësisht kërkesës së subjekteve politike që votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet e vitit 2025 të shtrihen në 5 qarqe, kreu i komisionit Qendror të Zgjedhjeve deklaroi në një seancë dëgjimore në kuvend se mundësia është që ky proces të realizohet vetme në qarkun e Tiranës.
“Kërkesa për votim elektronik në 5 qarqe e pamundur për kohën, kemi parashikuar që të zhvillohet votimi elektronik në qarkun e Tiranës…mirëpo s’kemi ende dakordësinë e të gjithë palëve, së shpejti një tjetër komunikimin për këtë çështje me të gjithë aktorët politik”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ hasi kundërshti nga deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili kërkoi transparencë mbi vendimmarrjen për votimin dhe numërimin elektronik.
“’S’ka transparencë për votimin elektronik, çfarë e ka penguar për të shtrirë në gjithë Shqipërinë ose të paktën minimumi në 5 qarqe dhe sado të jetë kostoja shtesë nëse e realizojmë në 5 qarqe dhe jo vetën në Tiranë”, tha Enkelejd Alibeaj.
Celibashi u shpreh se po shqyrtohet mundësia që të sigurohet nga shteti mbulimi i kostos financiare për dërgimin dhe kthimin e votës së emigrantëve në Diasporë.
Sa i përket buxhetit, Celibashi kërkoi 9.4 miliard lekë financim për të mbuluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke e cilësuar të pa konsiderueshme shumën e parashikuar nga shteti, që sipas ministrit të financave arrin vlerën e 2 miliard lekëve.
/a.r