Shqiptarët ‘kokat’ e grupit të drogës, SPAK i kishte në vëzhgim! Kokaina vinte edhe nga Brazili!
850 lëkurat e kriposura të gjedhit në të cilat është fshehur kokainë, hetuesit shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e huaj, e dinin shumë mirë se ishin ngarkuar në kontejnerë në vende të Amerikës Latine dhe do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Plot 48 ton, në dy ngarkesa, njëra në shtator dhe tjetra në nëntor, janë vëzhguar nga SPAK dhe janë lënë të veprojnë të lira deri në itinerarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale grupit të drogës, me 10 arrestime në total.
Për grupin hetimor, 4 nga 7 shqiptarët e arrestuar janë kryesorët e grupit, organizatorë dhe financues të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë, dhe më tej shitjen e saj në tregjet e vendeve europiane.
Rolin kryesor dyshohet ta ketë Geis Fejsullai 42 vjeç. Vila në rezidencën e banimit “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, që shërbente si bazë e grupit, dyshohet të jetë e tij, në pronësi apo e marrë me qira, SPAK ende po e heton. Aty, dhe në një tjetër ambient mbështetës të këtij grupi, pranë portit të Durrësit, u gjetën në total 6.1 kg kokainë.
Banesa e shndërruar në laborator ku 3 kimistë të huaj, nga Kolumbia e Venezuela ndanin drogën nga lëkura, dyshohet të jetë në pronësi Endi Sejdini vetëm 25 vjeç, e pozicionuar në pikë strategjike, pranë aeroportit të Rinasit, në fshatin Qerekë.
Klajdi Birçe 30 vjeç dhe Artion Çaushllari, 37 vjeçar një personazh që ka ushtruar edhe funksione publike pasuar nga, po ashtu sipas SPAK janë në mesin e organizatorëve dhe financuesve. Ndërsa 37-vjeçari Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj 51 vjeç nga Shkodra dhe Baki Huqi 57 nga Durrës, i dënuar për dy vrasje në ’97 dhe 2013-ën, kishin role dytësore në shërbim të aktivitetit kriminal
Ngarkesat me drogë që vinin fshehur në lëkurat e bagëtive, sipas burimeve nga SPAK, nuk janë nisur vetëm nga vende të Amerikës Latine, si Kolumbia, Venezuela apo Ekuadori, me të cilat bandat shqiptare kanë një marrëdhënie të gjatë trafiku, por edhe nga Republika Domenikane dhe Brazili. Jo më kot kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurori tjetër, Adnan Xholi që po hetojnë grupin, qëndruan 1 javë në Brazil së fundmi, ku deklaruan se do të çmontinin rrjetet e trafikut të drogës. Tranzit dyshohet të jenë përdorur portet italiane për të mbërritur në brigjet shqiptare, megjithatë itinerari i plotë është ende duke u hetuar.
Prokuroria e Posaçme po punon me agjenci partnere të zbatimit të ligjit, për subjekte të tjera që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet, dhe kryesisht shqiptar që kanë luajtur rol domethënës për të siguruar kokainën në Amerikën Latine apo kanë koordinuar veprimet atje. Burime nga SPAK thonë se Aldi Zonja, i arrestuar, gjatë kohës së pandemisë pati një qëndrim të gjatë në Amerikën Latine ku shkoi për vizitë turistike dhe qëndroi izoluar edhe nga bllokimi i fluturimeve.
10 personat e arrestuar dalin për masë në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, të hënën e 18 nëntorit në orën 09:30.
Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 6.1 kg kokainë, 89 kg përzierës të ngurtë, 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës dhe mbi 51 mijë euro. Plot 22 celularë janë në duart e SPAK që përmes hetuesve të BKH-së pritet të zbulojë më shumë mbi komunikimet e këtij rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM, ndërsa 3 automjete u sekuestruan bashkë me dokumente të tjera të rëndësishme.
Të arrestuarit
Shtetas shqiptar:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4-Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian