Miratohet falja e gjobave, përfitojnë edhe ata që kanë bërë shtesa pa leje në shtëpi private
Nisma e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të anuluar gjobat e paekzekutuara në 10 vitet e fundit, të vendosura për qytetarët në zonat rurale që kanë bërë investime në banesa pa leje, u miratua këtë të martë në Komisionin e Ekonomisë.
Gjatë diskutimeve, nismëtari Erion Braçe shtoi se përfitues do të jenë edhe individët që jetojnë në qytet, në njësi individuale banimi dhe jo në pallat.
“Të anulohen masat administrative të vendosura edhe në zona urbane për qëllime strehimi individuale, jo pallat. Për shtëpi banimi që përdoren për qëllim strehimi individual. Nuk kemi të bëjmë me amnisti. Kur anulohet gjoba, anulohet gjithçka, edhe me interesat e përmbaruesit. Fshati është në vështirësi dhe kërkojmë një lehtësi në fshat. Nuk është anulimi i masave administrative akti i parë. Sepse nga qershori i 2022 janë ndryshuar të gjitha rregullat e vendosura dhe që kanë shtrënguar marrjen e një leje ndërtimi në fshat. Objektet me natyrë blegtorale në zonën urbanen nuk përfshihen te falja sepse ato zona duhen urbanizuar. Nuk mund të kemi stalla brenda një zone komunitare”, tha Braçe.
Opozita nga ana tjetër përsëriti se kjo është një nismë elektorale, ndërsa propozoi edhe disa kategori të tjera që mund të falen.
“Ka vend për të dyshuar pse merret kjo masë. Kjo është një masë elektorale, po vijnë zgjedhjet dhe po nxitohet për të hedhur një karamele tek elektorati”, tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.
“Ka nevojë të ndërhyhet për disa kategori: ka detyrime të prapambetura për energjinë dhe ujin për grupet vulnerabël. Mendoj që penalitetet dhe gjobat në këtë rast, duhet t’i falim, ka shkelje të lehta administrative, si mosparaqitja në kohë e dokumenteve, ka gjoba që janë vendosur në mënyrë abuzive, siç bëhet fjalë për gjobat e Bashkisë së Tiranës tani. Kur propozojmë një projektligj, nuk duhet të jetë diskriminues për kategoritë në nevojë dhe për ata që kanë paguar gjobën. Ka hapësirë dhe vend për të shtuar edhe disa kategori që unë propozova”, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Pas diskutimeve, propozimet e opozitës nuk u bënë pjesë e projektligjit. Me hyrjen në fuqi të ligjit, do të përfitojnë edhe ata individë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë.