Para sfidës me Atletikon, Hansi Flik ka humbur të gjitha sfidat pa Lamine Jamal
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik është në kërkim të alternativave në prag të ndeshjes kundër “luftëtarëve” të Simeones. Pasi nga ajo çfarë kemi parë gjatë këtyre muajve, në mungesë të Lamin Jamal, trajneri Flik nuk ka gjetur një kombinim të qëndrueshëm.
Në pesë ndeshjet në të cilat Jamal nuk ka luajtur, trajneri ka bërë kombinime të ndryshme: Fermin Lopez, Dani Olmo, Pablo Torre, Ferran Torres, duke ndryshuar krahët e Rafinjës. Ndeshja e parë në të cilën Jamal nuk startoi ishte kundër Osasunës. Në atë ndeshje, Hansi Flik zgjodhi të bënte rotacion. Trajneri i Barçës rreshtoi Ferran Torres në krahun e djathtë dhe Rafinjën në të majtë. Ndryshimet e shumta në formacion nuk shkuan mirë. Një humbje 2-4, e para e sezoni në Liga.
Kundër Crvena Zvezdës (Champions), më 6 nëntor, Jamal pësoi dëmtimin e parë në kyçin e këmbës së djathtë që e detyroi të humbiste tre ndeshje: Sosiedad, Selta dhe Brest. Flik zgjodhi tre kombinime të ndryshme. Në “Reale Arena”, një përplasje që përfundoi me një tjetër humbje (0- 1), Rafinja qëndroi në të majtë dhe Fermin Lopez në të djathtën. Në Vigo (2-2), Rafinja ndërroi korsi për t’ia lënë pozicionin Dani Olmos, por katalanasi nuk ishte komod gjatë gjithë lojës.
Kundër Brestit, Rafinja qëndroi në të djathtë dhe Fermin në të majtë. Protagonistë të njëjtë si kundër Sociedadit. Katalanasit e fituan ndeshjen 3-0, suksesi i parë dhe i vetëm deri më tani pa Jamal në përbërje. Ndaj Las Palmasit, ku Lamin e nisi ndeshjen nga stoli, Flik zgjodhi brazilianin (Rafinjën) në të djathtë dhe Pablo Torren në të majtë. Humbja e radhës… (1-2).