Mareska: Liverpuli më lartë sesa ne, Man. Siti do të jetë në krye në fund
Enzo Mareska thotë se humbja e Çellsit ndaj Liverpullit në finalen e sezonit të kaluar të Kupës Karabao është dëshmi e të kuqve që kanë një avantazh ndaj skuadrës së tij, kur bëhet fjalë për fitimin e Premier Ligës këtë sezon.
Çellsi qëndron i dyti në tabelën e Premier Ligës ditën e Krishtlindjeve, por trajneri i “Bluve” ka mohuar vazhdimisht që ekipi i tij është në garën për titull, sepse ai beson se është shumë herët për skuadrën e tij të re. Megjithatë, italiani e pranon se tabela është një pasqyrim i saktë i asaj ku skuadra e tij tani që sezoni i Premier Ligës është pothuajse në gjysmë, por ende sheh Liverpulin të avantazhuar ndaj ekipit të tij.
“Realiteti është se ne jemi të dytët dhe nuk jemi vetëm të dytët pas katër apo pesë ndeshjeve, kur ndoshta tabela nuk është ende ajo reale. Është pothuajse në gjysmë të rrugës, në 17 ndeshje, kështu që ndoshta tabela reflekton disi skuadrat dhe vendin ku janë. Por sigurisht, Liverpuli po bën shkëlqyeshëm që nga dita e parë. Është një skuadër që e ka jetuar tashmë atë moment, duke fituar një trofe, gjë që është e rëndësishme. Në një nga konferencat e mia për shtyp, thashë se vitin e kaluar, kur Liverpuli u përball me Çellsin në finalen e Kupës Karabao, pashë sasinë e finaleve që kishin luajtur lojtarët e Liverpulit dhe ata të Çellsit dhe ishte një ndryshim i madh,” tha në fillim Mareska.
Trajneri Italian mendon gjithashtu se ish-klubi i tij, Mançester Siti, ku ai kaloi një vit si ndihmës trajner i Pep Guardiolës, do të jetë më afër vendit të parë në fund të sezonit.
“Unë mendoj se Mançester Siti në fund do të jetë atje. Ata janë në një moment që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Sa herë që luajnë një ndeshje kanë disa dëmtime dhe nuk kanë lojtarë të mjaftueshëm në këtë moment. Ata që kanë ndoshta nuk janë ende 100% pasi janë rikthyer nga lëndimi, kështu që është një situatë shumë e keqe,” thekson Mareska.
Kampionët e Anglisë renditen në vendin e shtatë në Premier Ligë këtë sezon, me 27 pikë pas 17 javësh. Ata kanë një fitore në 12 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet dhe duken se me formën që po kalon skuadra e Arne Slotit, e cila ka 12 pikë avantazh në këtë pikë të sezonit, por edhe një ndeshje më shumë për të rikuperuar, do të jetë shumë e vështirë të shohim një përmbysje historike.