Dalin detajet e marrëveshjes mes Fabio Kanavaros dhe Dinamo Zagrebit
Dinamo Zagreb, ka njoftuar emërimin e ish-lojtarit ndërkombëtar italian, Fabio Kanavaro, si trajner të ri të ekipit. Lajmi u bë i ditur në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit.
“Fabio Kanavaro është trajneri i ri i ekipit të parë të GNK Dinamo. Ky vendim i drejtuesve të klubit dhe drejtorit sportiv u mbështet nga presidenti dhe bordi ekzekutiv”.
Kanavaro, i cili ka luajtur si mbrojtës për Juventusin dhe Real Madridin, fitoi Kupën e Botës në vitin 2006 me Italinë. Për shkak të sjelljes së tij profesionale dhe aftësive të lidershipit, Kanavaro u shpërblye me “Topin e Artë” po atë vit. Aktualisht, Dinamo renditet në vendin e tretë me 29 pikë në ligën vendase HNL, pas kryesuesve të tabelës, Rijeka, dhe Hajduk Split.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të klubit, Zvonimir Manenica, mungesa e rezultateve në HNL detyroi drejtuesit të shqyrtojnë emërimin e Kanavaros.
“Drejtuesit e klubit vendosën se duhej të merrnim masa të nevojshme për ta ndalur këtë krizë negative, sepse rezultate kaq të dobëta në ligën vendase nuk janë parë për një kohë të gjatë. Falënderojmë trajnerin Bjelica për gjithçka që ka bërë. Ai dha maksimumin dhe arriti rezultate të shkëlqyera në Ligën e Kampionëve, por liga vendase është prioriteti i klubit dhe, fatkeqësisht, rezultatet aty mungonin.
Ne kemi mundësinë ta çojmë klubin në një nivel tjetër në Europë, por kjo është e mundur vetëm duke fituar titullin. Jemi të vetëdijshëm për rreziqet dhe përgjegjësitë, por ky nuk ishte një vendim i nxituar. Situata u analizua me kujdes për të përcaktuar kursin më të mirë të veprimit, pa presionet e përditshme që vijnë me ambiciet e larta të Dinamos. Për këtë arsye, pritëm të merrnim vendimin pas ndeshjes me Varaždin, me qetësi”.
Kanavaro do t’i bashkohet ekipit të parë në grumbullimin e tij më 3 janar 2025, kur do të prezantohet zyrtarisht. Prova e parë për strategun italian do të jetë më 22 janar, kur Dinamo do të vizitojë “Emirates Stadium” në Londër për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit.