
Australian Open, favoritet avancojnë në raundin e dytë përveç Cicipas-it
Në Melburn janë zhvilluar takimet e radhës së raundit të parë të Grand Slam të “Australian Open”. Numri 1 i botës për meshkuj, italiani Janik Siner, fitoi 3-0 në sete ndaj kilianit Zhari. Fiton me përmbysje edhe serbi Novak Gjokoviç, që mundi me 3-1 në sete Nisha Basavaredi.
Një biletë për në raundin tjetër siguroi edhe spanjolli Karlos Alkaraz, numri 3 në botë,ndërsa surpriza e këtij raundi ishte eliminimi i grekut Stefanos Cicipas, që u mund me 3-1 në sete nga Xhejkob Fernli.
Te femrat, numri 3 në botë, tenistja amerikane Koko Gauff, mundi 2-0 patrioten e saj Sofia Kenin. Kualifikohet për në raundin e dytë edhe polakja Iga Svitek, numri 2 në botë, që mposhti 2-0 çeken Siniakova. Në raundin tjetër avancojnë edhe Tomljanoviç, Pegula, Bençiç dhe Svitolina, ndërkohë që u eliminuan Azarenka e Ostapenko.