
Maks Verstapen zbulon shokun më të mirë të skuadrës në 10 vite karrierë
Në moshën 27-vjeçare, Maks Verstapen nuk është më një pilot i ri në Formula 1, ndërkohë që ka fituar edhe 4 tituj kampionë bote. Holandezi, pasi bëri debutimin e tij si “i mitur”, tashmë ka 10 vjet që garon me më të mirët në botë, karrierë e cila pritet të vijojë gjatë.
Në këto vite të karrierës së tij në F1, Verstapen ka patur dhe mposhtur mjaft nga shokët e tij të skuadrës. Disa prej tyre i ka “shkatërruar” në pistë, si Albon, Gasli dhe Perez. Ndërsa me Karlos Sainzin (në kohën e Toro Roso-s) dhe Daniel Rikiardo (shoku i tij i parë i skuadrës në Red Bull) e përballuan rivalitetin.
Në një intervistë, Verstapen pranon se Daniel Rikiardo ka qenë ishte një shkollë e vërtetë për të.
“Daniel ishte padyshim shoku im më i fortë i skuadrës, kam mësuar shumë prej tij. Përvetësova shumë dhe i përfshiva ato mësime në bagazhin tim të karrierës”, tha holandezi për “Blick”.
Ndërsa për Serhio Perezin, i cili u largua disa javë më parë nga Red Bull, holandezi ka vlerësuar shumë besnikërinë e pilotit meksikan.
“Ne ishim një ekip i mirë për katër vjet. Serhio ka qenë gjithmonë besnik dhe kjo është një cilësi që e vlerësoj shumë,” tha mes tjerash Verstapen.
Louson?
“Nuk e di se si do të shkojë, rëndësi ka që Red Bull të rikthehet sërish kampione,” ka thënë në fund Verstapen.