
Shqipëria mbështet 1-vjeçarin nga Gaza, i ofrohet trajtim i specializuar mjekësor në Tiranë
Një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuuar në Shqipëri për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Ky akt humanitar është realizuar me mbështetje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe qeveria shqiptare. Fëmija po merr kujdes në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa babai, vëllai dhe motra e tij janë akomoduar në një qendër refugjatësh në Babrrusë.
Ky është një shembull solidariteti nga Shqipëria, ndërsa OBSH thekson se shumë pacientë nga Gaza vazhdojnë të kërkojnë kujdes urgjent mjekësor dhe përpjekjet ndërkombëtare mbeten kyçe.
“Mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza. Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.
Një falenderim i madh për Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. Mirënjohje Albana Koçiut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skënder Bratajt, kreu i Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe zyrtarëve nga Ministria e Brendshme, për kontributet e tyre thelbësore. OBSH së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore.
Në aeroport, së bashku me zyrtarë të tjerë, për të pritur familjen ishte i pranishëm edhe Gazmend Bejtja, Oficer i ngarkuar i OBSH në Shqipëri.
Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”,-thuhet në njoftimin e OBSH-së.