“Numrat e tregojnë qartë, futbollisti më i mirë në histori jam unë”
Ylli portugez, pas një karriere legjendare jo vetëm me Manchester United dhe Real Madridin, prej dy vitesh po kalon pjesën më të madhe të jetës së tij në Arabinë Saudite, duke luajtur për Al Nassr. 40-vjeçari (do t’i mbushë më 5 shkurt) sapo ka shënuar golin e tij të 923-të, duke luajtur nën drejtimin e Stefano Piolit. Ai ka dhënë një intervistë për “Los amigos de Edu” në “La Sexta”.
Së pari foli për eksperiencën e tij në Arabinë Saudite dhe në “Saudi Pro League”, pasi la pas Europën e dashur: “Më pëlqen shumë kjo përvojë. Ndihem shumë mirë këtu me familjen time. Jam një person që i pëlqejnë sfidat dhe gjërat e reja. Objektivat e mëdha nuk më trembin, edhe eksperienca e ardhjes në Arabinë Saudite nuk më ka bërë të shqetësohem. E dija si ishte liga këtu falë shumë portugezëve që kishin luajtur më parë”.
Sa i përket famës së tij të jashtëzakonshme, CR7 u shpreh: “Kur dëgjoj një kritikë, edhe nëse ka 100 komente pozitive dhe vetëm një negativ, unë përqendrohem tek ai negativi. Nuk është faji im që jam më i famshmi, kjo është pjesë e jetës sime. Nuk besoj se fama ime do të zhduket apo që një ditë askush nuk do të më njohë. Kjo është diçka e pamundur. Jam i lumtur me gjithçka që më ka ndodhur. Unë shoh çfarë është e mundur të bëhet”.
I lodhur nga kaq shumë gola? Përgjigjja e tij është tipike e CR7: “Njerëzit janë pak të fiksuar me 1000 golat, edhe pse e di që është faji im. Sidoqoftë, ata nuk e vlerësojnë momentin tim aktual. Nuk më pëlqen që flitet kaq shumë për këtë, gjërat duhet të ndodhin natyrshëm. Lojtari më i mirë i historisë jam unë. Numrat janë aty”.