Feston sot 40-vjetorin e lindjes, portugezi marshon drejt 1000 golave
Në momentin kur Pelé shënoi golin e tij të 1000-të, nga penalltia, ndeshja u ndal për disa minuta. Kjo për t’iu dhënë mundësi fotografëve të kapnin momentin historik, edhe pse numërimi nuk ishte i saktë.
Midis miqësoreve dhe llogaritjeve të paqarta, me shumë gjasa Kristiano Ronaldo e ka tejkaluar tashmë “O’Rey” për numrin e golave në ndeshje zyrtare. Megjithatë, arritja e katër shifrave do të ishte diçka e pabesueshme, ndoshta edhe e papërsëritshme.
Një karrierë pa dëmtime serioze, që tregon forcën dhe përkushtimin ekstrem me të cilin Kristiano Ronaldo e ka trajtuar veten, duke u përmirësuar vazhdimisht. Sportingu, Man. Junajtedi, Real Madrid, Juventusi, përsëri Man. Junajtedi dhe tani Al Nassr janë klubet e tij.
Karriera e tij është e jashtëzakonshme, edhe pse vitet e fundit është parë nga disa si problem, ndoshta për shkak të ndjekjes së tij të pandalshme të objektivit të 1000 golave. Për momentin i mungojnë më pak se 60 gola për t’ia dalë këtij “mijëvjeçari”. Në muajt e fundit, CR7 ka folur për këtë synim.
“Do të jem i sinqertë, është faji im, sepse tani e shoh jetën si një moment për t’u shijuar. Nuk mund të mendojmë shumë afatgjatë, dua të gëzoj të tashmen. Do të bëj atë që mundem. Kam thënë se dua të arrij 1000 gola, sapo arrita 900 dhe tani më kërkojnë të bëj edhe më shumë. Nëse do të ndodhë, mirë, nëse jo, unë jam ende lojtari me më shumë gola në histori, kështu që është në rregull”.
Sot, Kristiano Ronaldo feston 40-vjetorin e lindjes.