Tieri Anri: Divorci i Pep Guardiolës me gruan po ndikon te Man. Siti
Sezoni i Man. Sitit mund të shpëtohet vetëm nga Liga e Kampionëve, pasi skuadra e Pep Guardiolës po kalon një moment të vështirë. Disfata 5-1 kundër Arsenalit në “Emirates Stadium” ka nxjerrë në pah problemet e kampionëve të Anglisë, ndërsa trajneri katalanas po përballet edhe me vështirësi në jetën e tij private.
Tieri Anri ka analizuar situatën dhe ka shprehur keqardhjen e tij për atë që po ndodh me Guardiolën.
“Më vjen keq për atë që po ndodh te Siti dhe me Pep Guardiolën. Nuk është e lehtë ta përballosh atë që po përjeton jashtë futbollit”, – tha ish-sulmuesi francez, duke iu referuar ndarjes së trajnerit spanjoll nga bashkëshortja e tij, Kristina Serra, pas 30 vitesh martesë.
“E kam kaluar vetë një situatë të tillë kur isha te Barcelona. Nuk është aspak e lehtë kur nuk je mirë mendërisht. Duket qartë që Pep nuk është ai i zakonshmi. Askush nuk do të dëshironte të përballej me diçka të tillë, duke qenë nën vëmendjen e të gjithëve. Duhet ta kuptojmë”.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Guardiola dhe Kristina Serra kanë jetuar të ndarë për më shumë se pesë vite. Kristina ishte kthyer në Barcelonë së bashku me njërën nga vajzat e tyre, Valentina, 17 vjeçe, ndërsa Guardiola kishte mbetur në Mançester për të vijuar punën te Man. Siti. Vendimi për ta rinovuar kontratën me klubin anglez duket se ishte shkaku përfundimtar i ndarjes së çiftit, i cili ishte martuar në vitin 2014, pas 20 vitesh lidhje.