
Situatë e tensionuar në Maranello, Konseisao i vetmuar si Fonseka
Humbjet në Zagreb dhe Roterdam mund t’i kenë shteruar të gjithë kreditet që Serhio Konseisao kishte fituar me triumfin në Superkupën Italiane. Kështu shkruan “Corriere dello Sport”, e cila analizon momentin e vështirë të Milanit, duke theksuar se “ambienti është i tensionuar”.
Një nga shenjat e pakënaqësisë ka qenë edhe fytyra e zhgënjyer e Zlatan Ibrahimoviç në tribunën e “De Kuip”, kur trajneri portugez vendosi të zëvendësonte Himenez dhe Leao me Kamarda dhe Abraham.
“Sikur mes dy personaliteteve të forta dhe autoritare të mos ketë pasur ende një shkëndijë të vërtetë”, – shkruan gazeta italiane, duke kujtuar edhe disa përplasje të mëparshme mes tyre për çështjen e “thellësisë” së skuadrës.
Humbja në Rotterdam ka shtuar edhe më shumë tensionin, siç tregon edhe largimi i Konseisaos nga konferenca për shtyp pas ndeshjes dhe anulimi i daljes përpara mediave para ndeshjes me Veronën.
Sipas “CorSport”, trajneri portugez ndjehet i vetmuar, një situatë që i ka ndodhur më parë edhe Paulo Fonseka. Nuk ka ende biseda për një shkarkim të mundshëm, por klima e mosbesimit po rritet. Kualifikimi në Ligën e Kampionëve do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij, edhe sepse kontrata e tij për sezonin 2025/26 varet nga një klauzolë që vetëm klubi mund ta aktivizojë.