
Kolturi nuk e mbyll dot garën e sllallomit në Botërorin e Zaalbahut
Pas vendit të 7-të të arritur dy ditë më parë në garën e sllallomit gjigand në botërorin e skive që po zhvillohet në pistën e Zaalbah të Austrisë, skiatorja shqiptare Lara Kolturi garoi sot në disiplinën e sllallomit.
Këtë herë ajo nuk arriti të japë rezultat, pasi nuk arriti dot ta mbyllë garën. Colturi humbi kontrollin gjatë zbritjes së parë, teksa ishte në fundin e garës. Për pasojë, ajo nuk arriti të japë asnjë kohë dhe u eliminua.
Kolturi, 18 vjece, është në Botërorin e saj të parë dhe vendi i 7-të dy ditë më parë bënte të shpresonte për një rezultat të mirë edhe sot. Ajo ndodhej në një pozicion të mirë deri në momentin që u detyrua të lërë garën.
Pavarësisht kësaj, ky sezon ka qenë i jashtëzakonshëm për skiatoren kuqezi, me dy podiume në garat e Kupës së Botës që vijojnë ende. Një skiatore që premton shumë për të ardhmen e saj.