
Në 75-vjetorin e Formula 1, prezantohen të gjitha makinat dhe pilotët
Në një mbrëmje magjike të organizuar në “O2 Arena” të Londrës u zhvillua ceremonia madhështore e prezantimit të 10 makinave të sezonit 2025 të Formula 1. Ky vit përkon me 75-vjetorin e garave, ndaj dhe u zhvillua një ceremoni që zgjati mbi tri orë dhe ku të pranishëm ishim të 20 pilotët e këtij sezoni, drejtuesit e skuadrave dhe mjaft personazhe VIP të ftuar.
Mbrëmja “gala”, e mbushur me shumë emocione dhe batuta, u drejtua nga aktori Xhek Uajthall, i shoqëruar me muzikë “live” nga Kejn Braun, Brain Tajler dhe “Take That”. Nga Maks Verstappen te Lando Norris, nga Luis Hamilton te Kimi Antonelli, mjaft kampionë dhe debutues parakaluan bashkë me makinat e tyre në skenën e improvizuar, duke zbuluar njëvendëshet e këtij sezoni.
Prezantimi i makinave u bë në bazë të renditjes për konstruktorë të sezonit të kaluar dhe në fund doli MekLaren. Një mbrëmje e konceptuar edhe në formën e një spektakli, ku ovacionet nuk munguan kur dilnin pilotët.
Parakalimi i Hamiltonit me uniformën Ferrari, apo dalja e Verstapenit si kampion bote sollën ovacionet më të mëdha në sallë. Një sezon që parashikohet mjaft i fortë, andaj dhe Formula 1 vendosi të prezantohet në një mënyrë unike për fansat.